Qëllimi i tij ishte të vizitonte çdo vend të botës, por pa fluturuar! Që në nisje të udhëtimit, ai i vuri vetes tre kushte të panegociueshme: të kalonte të paktën 24 orë në çdo shtet, të jetonte me një buxhet prej rreth 20 dollarë në ditë dhe të mos kthehej në shtëpi derisa të vizitonte të gjitha vendet e botës, përfshirë dhe Shqipërinë.
Dhe ia doli. Në 24 maj, pasi gati 10 vitesh në udhëtim, Pedersen vizitoi vendin e 203-të dhe të fundit, Maldivet, për t’u kthyer i lumtur në Danimarkë. 44-vjeçari hipi në një anije mallrash, ndërsa iu deshën 33 ditë për t’u kthyer në shtëpi.
Më 26 korrik, Pedersen mbërriti në portin e Aarhus, në bregun lindor të Danimarkës, ku rreth 150 njerëz e prisnin për të festuar kthimin e tij në shtëpi. Mes turmës që brohoriste dhe e duartrokiste ishte partnerja e tij, të cilës i propozoi në malin Kenia në vitin 2016-të, ndërsa në vitin 2021 u martuan. Babai, vëllezërit, miqtë dhe mbështetësit që kanë ndjekur blogun e tij “Once Upon a Saga” ishin mbledhur po ashtu në port.
Dhjetë vite në udhëtim
Edhe pse do të ishte më e lehtë, aventurieri nuk pranoi në asnjë çast të merrte avionin.
Pedersen u nis me një plan të qartë, por u përball me disa surpriza gjatë rrugës. Guinea Ekuatoriale ishte një nga vendet më të vështira për t’u aksesuar. Pas katër muajsh dhe shumë përpjekjesh të dështuara, Pedersen më në fund mori një vizë. Edhe pse kufijtë tokësorë ishin të mbyllur në atë kohë, ai mundi të kalonte falë takimit me një të huaj që punonte në Guinenë Ekuatoriale dhe i ofroi një udhëtim.
Më vonë, Pedersen mendoi se mund të merrte një vizë kineze në kufirin me Mongolinë dhe më pas të udhëtonte në Pakistan. Por për shkak të kohës së gjatë të shqyrtimit të kërkesës, iu desh të tërhiqej gati 7.500 milje në disa vende për të shkuar në Pakistan përpara se t’i skadonte viza. Ai kishte parashikuar se do t’i duheshin katër vite për të arritur në 203 shtete, por kuptoi se “bota kishte plane të tjera”.
Për muaj me radhë, ai ngeci në vende si Siria, Irani, Nauru dhe Angola, për shkak të vonesave me vizat. Pedersen u përball edhe me malarien në Ganë, i mbijetoi një stuhie katër-ditore teksa kalonte Atlantikun nga Islanda në Kanada, udhëtoi në kufijtë tokësorë të mbyllur në zonat e konfliktit dhe iu desh të riplanifikonte shumë lundrime për shkak të anijeve të prishura, burokracive dhe lodhjes. Vonesën më të madhe ia shkaktoi pandemia e Covid-19.
Në fillim të vitit 2020, udhëtari trim ndodhej në Hong Kong. Ai u detyrua të qëndrojë aty për dy vite, ndërkohë që i kishin mbetur vetëm nëntë vende për të vizituar.
“Hong Kong-u për mua ishte paradoksal. Ishte periudha më e keqe e jetës sime, por dhe koha më e mirë e jetës sime (disi). Më duhej të përballesha me situatën, isha në luftë me veten nëse duhet ta braktisja aventurën. Por ndërsa prisja që bota të hapej, në Hong Kong krijova marrëdhënie shumë të veçanta”, kujton Pedersen.
Gjatë kësaj kohe, ai bëri miq të rinj, eci nëpër shtigjet e qytetit duke punuar për Kryqin e Kuq. Ai u pajis me vizë punësimi dhe gjatë kësaj kohe, u martua me të fejuarën e tij, Le, nëpërmjet një shërbimi on line me bazë në SHBA. Nuk ishte dasma që kishin ëndërruar, por ata patën kohë që qëndronin me njëri-tjetrin në Hong Kong.
“Kemi kaluar 100 ditë së bashku, gjë që ishte e mrekullueshme. Ajo takoi miqtë e mi të rinj. Gjatë kësaj kohe, bëmë shtegun MacLehose, i cili është 62 milje i gjatë”.
Më 5 janar 2022, Pedersen më në fund mundi të linte Hong Kongun dhe të vazhdonte përtej Paqësorit. U ndal në Palau, ku qëndroi për dy javë në karantinë. Më pas vazhdoi në Australi, Zelandën e Re, Samoa dhe Tonga.
Ndalesa e veçantë në Shqipëri
Një vend të veçantë, e cilësoi aventurieri Shqipërinë, kur erdhi me traget nga Italia në Durrës në vitin 2017-të. Për të, vendi ynë ishte ideal për të përmbushur kushtin e tij: të mos shpenzonte më shumë se 20 dollarë në ditë.
“Ushqim ishte cilësor, gratë janë të bukura, vendi ka një histori të veçantë“, shkruan ai në blogun e tij. Pedersenit i bëri përshtypje stili i vajzave që i kushtojnë rëndësi veshjes dhe djemve që duket se pëlqejnë makinat e shtrenjta. Këtë fakt, ai e lidh me të shkuarën komuniste të Shqipërisë, që për gjysmë dekadë ishte e izoluar.
3.576 ditë, 203 shtete
Në aventurën e tij të çmendur, Pedersen grumbulloi statistika të pabesueshme: 3.576 ditë, 379 anije me kontejnerë, 158 trena, 351 autobusë, 219 taksi, 33 varka dhe 43 rickshaws. Ai kaloi mbi 223.000 milje, e barabartë me nëntë udhëtime rreth Tokës.
Por kjo nuk ishte më e rëndësishmja për Pedersen. Bëhet fjalë për të festuar mirësinë e njerëzve dhe për të ndarë një pikëpamje pozitive për botën, rrëfen ai.
“E nisa këtë udhëtim me një moto: ‘I huaji është një mik që nuk e keni takuar kurrë më parë’ dhe kam kuptuar se kjo është e vërtetë. Kam qëndruar në shtëpitë e shumë e shumë të huajve gjatë udhëtimit tim dhe kalova nëpër çdo vend të botës, nga ato me konflikte të armatosura te ato me shpërthime virusesh dhe ia dola. Ose unë jam njeriu më me fat në planet, ose bota është një vend më i mirë nga sa besojnë shumica e njerëzve nga lajmet apo rrjetet sociale”, zbulon 44-vjeçari.