Diplomacia perëndimore është njohur me një dokument strategjik tepër sekret për të ardhmen e Ukrainës. Ajo është e përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes ruse dhe kërkon që Ukraina të ndahet në tre pjesë, të mos anëtarësohet në NATO dhe të ngrihen disa baza ushtarake ruse. Gjeneralët ukrainas besojnë se Putin këtë dokument do t’ia parashtrojë administratës së re Trump.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka përgatitur një dokument që përmban parashikime për zhvillimin e situatës ushtarako-politike globale deri në vitin 2045. Në dokumentin strategjik ruse theksohet se shteti ukrainas duhet të eliminohet dhe territori i tij duhet të ndahet në tre pjesë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ukrainase e lajmeve “Interfax Ukraine”, duke cituar burime të inteligjencës, transmeton A2.
Sipas agjencisë Interfax, Rusia mund të përpiqet t’ia përcjellë këtë plan administratës së re amerikane në të ardhmen “nëpërmjet përfaqësuesve të shteteve të huaja”. Dokumenti rendit ndër pjesët në të cilat Ukraina duhet të ndahet “rajonet e reja të Rusisë”, përkatësisht Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, si dhe Krimea dhe Sevastopol.
Zonat e tjera do të menaxhoheshin nga autoritetet pro-ruse, dhe në këtë rast, këto janë territoret e rajoneve të Kievit, Chernihiv, Sumy, Kharkiv, Poltava, Kirovohrad, Dnipropetrovsk, Odessa, Cherkasy, Vinnytsia dhe Zhytomyr, raporton A2.
Në këto rajone, të cilat paraqiten në pikën e dytë të quajtur “formimi pro-rus i shtetit”, parashikohet refuzimi i proceseve të anëtarësimit evropian dhe euroatlantik dhe prania ushtarake ruse, me krijimin e bazave ushtarake si ato që janë aktualisht në Transnistria, Osetia e Jugut dhe Abkhazia. Së fundi, në pjesën e tretë të quajtur “Territoret e kontestuara” përfshihen rajonet aktuale perëndimore të Ukrainës, përkatësisht ato të Volhynia, Rivne, Khmelnitskyi, Lviv, Ivano-Frankivsk, Ternopil, Chernivtsi dhe Transcarpathia, shkruan A2.
Kremlini beson se e ardhmja e këtyre territoreve duhet të vendoset mes Rusisë dhe shteteve të tjera fqinje: Hungarisë, Polonisë, Rumanisë”, specifikon “Interfax”.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Inteligjencës Vadym Skibitsky tha gjatë fjalimit të tij në takimin vjetor në Ukrainë se Rusia do të përpiqet të “zgjidhë” çështjen e Ukrainës deri në vitin 2026, e cila “është e shkruar në këtë dokument rus”. Inteligjenca shpjegon se kjo është për shkak të faktit se një luftë e mëtejshme afatgjatë do të ndikojë në të gjitha aspektet e jetës së rusëve – ekonomik, demografik, imazh, etj., përcjell A2.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse rusët mund të përpiqen vërtet t’i transferojnë këto dokumente në Shtetet e Bashkuara përmes vendeve të tjera, Skibitsky tha se një kërcënim i tillë ekziston. Sipas tij, aktualisht nuk ka informacione se ky dokument mund të jetë bartur diku, por nuk përjashtohet edhe kjo.