Luftimet mes forcave ruse dhe atyre ukrainase vazhdojnë të ashpra. Ushtria e Kievit ka bërë të ditur se ka rrëzuar 3 avionë luftarakë rusë ditën e premte në jug të vendit. Avionët luftarakë, të paktën sipas pretendimeve ukrainase, janë të tipit Su-34 dhe janë rrëzuar mbi rajonin Kherson.
Ky njoftim është konfirmuar më pas edhe nga presidenti Volodymr Zelensky, i cili falënderoi ushtarakët, ndërsa në fjalimin e mbrëmjes u shpreh se rrëzimi i avionëve do t’i bëjë tashmë pilotët rusë që ta kenë të qartë se askush që sulmon në territorin e Ukrainës nuk do të kaloi pa u ndëshkuar.
Ndërkohë, ai theksoi se kishte folur me kryeministrin holandez Mark Rutte për të marrë nga ky shtet avionë F-16, si dhe një paketë të re mbështetjeje nga BE.
Avionët luftarakë që kushtojnë 46 milionë euro secili janë rrëzuar nga raketat amerikane MIM-104 Patriot dhe lajmin e ka bërë të ditur komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk.
“Sot në mesditë në frontin jugor janë rrëzuar tre avionë luftarakë rusë Su-34! Fluturimi të përjetshëm ‘vëllezër’”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Zëdhënësi i tij Yuri Ignat e quajti operacionin të shkëqlyer. “Këtë herë ishin tre avionë në të njëjtën kohë në drejtimin jugor. Nuk e kishim bërë këtë prej një kohe të gjatë. Ne nuk kishim patur Su-34 të shkatërruar në statistikat tona prej shumë kohësh.”
Deri tani, Moska nuk ka konfirmuar pretendimet e Kievit për rrëzimin e avionëve, por “Fighterbomber”, një bloger me ndikim rus i luftës, raportoi humbjen e një numri të papërcaktuar avionësh, duke thënë se ata ndoshta ishin rrëzuar nga raketat Patriot të prodhuara nga SHBA.