Nënkoloneli në pension 63-vjeçar i Forcave Ajrore Ruse, Kanamat Botashev ka vdekur në qiejt ukrainas, transmeton shërbimi rus i BBC, duke cituar tre ish-vartës të tij, të cilët mbajtën lidhje me të pas daljes në pension.
“Mirupafshim Komandant… Pak njerëz në këtë planet kanë jetuar si ju në qiej. Qiejtë po bëhen më të mirë e sot ju kanë marrë”, thuhej në një një mesazh në kanalin Fighterbomber të Telegram. Sipas një prej vartësve të tij, Botashev ishte në një mision me një avion Su-25.
Të dielën, më 22 maj, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës njoftoi se një avion luftarak rus Su-25 ishte rrëzuar në rajonin e Luhanskut. Piloti nuk ka arritur të përdorë mekanizmin e katapultimit, thuhet në njoftim. Menjëherë më pas, në kanalet ruse Telegram u shfaqën mesazhe ku thuhej se piloti i avionit ishte gjenerali Botashev. “Goditje me Stinger, një shpërthim në ajër dhe… fund”, ka shkruar dikush në një nga kanalet Telegram, duke zbuluar emrin e pilotit. Administratori i kanalit e fshiu komentin, por pjesa tjetër e pjesëmarrësve vazhdoi të komentonte duke shkruar inicialet e emrit.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e ka konfirmuar ende vdekjen e Botashev.
Para daljes në pension, Botashev komandonte një skuadron të rojeve në Voronezh. Karriera e tij mori fund pas akuzave se ai ishte përgjegjës për rrëzimin e një avioni luftarak Su-27 pranë Petrozavodsk në qershor 2012. Botashev më vonë u dënua me katër vjet burg me një dënim me kusht dhe gjobë 5 milionë rubla.
Pas daljes në pension, ai ishte nënkryetar i DOSAAF (një organizatë vullnetarësh që ndihmonin ushtrinë, forcat ajrore dhe flotën) e Shën Petersburgut dhe rajonit të Leningradit.