Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në shënimin e Ditës së Forcës.
Para trupave ajo ka thënë se ushtria e Kosovës po shndërrohet në ushtri moderne, duke shtuar më tej se e ka vendin në NATO. Osmani ka ndarë medalje presidenciale për ushtarakët e dalluar.
“Jam e lumtur se që nga nëntori i vitit të kaluar kur shënuam ditën tuaj, forcat tona kanë shënuar një zhvillim të hovshëm duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale. Si partner i besueshëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të Amerikës, dhe partnerëve të tjera brenda NATO-s. Muaj më parë pjesëtarë të FSK për herë të parë zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt. Ky ishte hapi i parë por tepër i rëndësishëm për të parë të realizuar ëndrrën tonë për të qenë garantues të paqes ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Partneriteti me SHBA-në dhe shtetet mike është jetik për Republikën e Kosovës, ka thënë Osmani, teksa tha se furnizimi me pajisje ushtarake, të dhuruara dhe të blera së fundmi, janë dëshmi se Kosova po i ndërton kapacitetet e nevojshme për vendin.
“Në kohën që ne po e zhvillonim ushtrinë me forcat e NATO-s, fqinji ynë verior ishte si kërcënues i vazhdueshëm i paqes në rajon, po zhvillonte manovra me kërcënuesin tjetër global, Rusinë. Ushtria e Kosovës ka themele të fuqishme ngase është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë të sublimuar në sakrificën sublime të komandant Adem Jasharit dhe familjes Jashari në luftën e UCK-së. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohemi vazhdimisht. Për këtë qëllim po e rrisim përkrahjen tonë për ushtrinë që të sigurohemi që forcat tona të armatosura të integrohen sa më parë në strukturat e NATO-s”, përfundoi presidentja.
Medalje presidenciale të meritave u janë ndarë: Nëntoger Arilena Shala, rreshter Fazli Kashtanjeva, kapiten Fitim Kadrijaj, rreshter Hysen Fetahu, nëntoger Ilirjanë Bunjaku, tetar Sokol Ahmeti.