Ushtarët e Koresë së Veriut shihen duke u grumbulluar në Rusi përpara dërgimit në Ukrainë

Ushtarët e Koresë së Veriut janë filmuar duke marrë uniforma dhe pajisje në një terren stërvitor në lindjen e largët të Rusisë, duke konfirmuar raportet nga Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut (NIS) se 1,500 ushtarë janë dërguar për stërvitje ushtarake për t’u vendosur në Ukrainë.

Trupat e Koresë së Veriut mendohet se janë duke u trajnuar përpara se të dërgohen në vijën e frontit në Ukrainë, në atë që duket të jetë një shenjë e qartë e marrëdhënieve gjithnjë e më të ngrohta midis Moskës dhe Phenianit.

Në një video të shpërndarë me CNN nga organizata e qeverisë ukrainase, Qendra Ukrainase për Komunikimin Strategjik dhe Sigurinë e Informacionit, mund të shihet një varg i gjatë ushtarësh që janë në radhë për të marrë uniformat e tyre. Ushtarët mendohet se po flasin në gjuhën koreane, megjithëse audioja me cilësi të ulët i pengoi diskutimet e tyre të kuptoheshin plotësisht.


Me të mbërritur në Rusi, rekrutëve të Koresë së Veriut u është kërkuar të plotësojnë një pyetësor që ofron përmasat e tyre për kapelet, mbulesat e kokës, uniformat dhe këpucët. Në një kopje të pyetësorit të ndarë me CNN, pjesa e sipërme e formularit është e shkruar në rusisht, ndërsa opsionet e ndryshme të madhësisë janë shkruar në koreanisht.

Një tjetër video që qarkullon në mediat sociale, e gjeolokuar nga CNN, tregonte trupat që mbërrinin në terrenin e trajnimit Sergeevka, i cili shtrihet afër kufirit të Rusisë me Kinën. Në video, një folës rus mund të dëgjohet në sfond duke thënë “ne nuk mund t’i filmojmë ata”, përpara se të shtojë: “Ka më shumë … ka miliona prej tyre këtu. Këtu janë përforcimet e reja. Ky është vetëm fillimi. Ka më shumë.”

Kjo dëshmi duket se konfirmon shqetësimin e kahershëm të Kievit se Koreja e Veriut po përgatitet për një rol më të drejtpërdrejtë në luftën e Rusisë në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte dhënë vazhdimisht alarmin në lidhje me aleancën e thelluar të Rusisë dhe Koresë së Veriut, duke thënë në një samit të NATO-s këtë javë se “mijëra” trupa të Koresë së Veriut ishin në rrugën e tyre për në Rusi.

“Nga inteligjenca që kam … ata po përgatisin 10,000 ushtarë, ushtarë të ndryshëm, forca tokësore, personel teknik,” u tha Zelensky gazetarëve, duke e përshkruar atë si një zhvillim “urgjent” që ai kishte ngritur me Shtetet e Bashkuara.

Mediat e Koresë së Jugut raportuan më parë se Veriu do të dërgojë gjithsej 12,000 trupa, megjithëse kjo shifër nuk ishte përfshirë në deklaratën e shërbimit të inteligjencës kombëtare.

Kjo mund të shënojë herën e parë që Koreja e Veriut bën një ndërhyrje të rëndësishme në një konflikt ndërkombëtar. Pavarësisht se ka një nga ushtritë më të mëdha në botë me 1.2 milionë ushtarë, shumë prej trupave të saj nuk kanë përvojë luftarake.

Shqetësime mbi njoftimet se Koreja e Veriut po dërgon trupa në Ukrainë në mbështetje të Rusisë

Përfshirja e trupave të rregullta të Koresë së Veriut për të mbështetur sulmin rus në Ukrainë do të ishte një përshkallëzim serioz i luftës, thanë ministrat e jashtëm të Francës dhe Ukrainës në një konferencë të përbashkët shtypi në Kiev të shtunën.

Kjo shënoi vizitën e parë në Ukrainë të ministrit francez Jean-Noel Barrot, që nga marrja e detyrës në muajin shtator. Ai pritet të vizitojë të dielën pjesën lindore të vendit, ku Franca do të financojë dy qendra të reja për mbrojtjen e fëmijëve të prekur nga lufta.

Të enjten Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, akuzoi Korenë e Veriut se po përgatitet të dërgojë 10,000 ushtarë për të ndihmuar Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës. Por shefi i NATO-s Mark Rutte tha se deri tani nuk kishte prova për praninë e Phenianit në Ukrainë.

“Një zhvillim i tillë do të ishte diçka serioze e do ta shtynte konfliktin në një fazë të re, duke e përshkallëzuar atë”, tha zoti Barrot në Kiev, duke shtuar se një lëvizje e tillë do të ishte gjithashtu dhe një sinjal se Moska po haste vështirësi në luftë.

Homologu i tij ukrainas Andrii Sybiha, tha se rreziku i përshkallëzimit nga ky vendim ishte “i madh”.

“Ky është një kërcënim i madh për një përshkallëzimit të mëtejshëm të agresionit rus kundër Ukrainës. Ekziston një rrezik i madh që ai të dalë jashtë nivelit që paraqitet apo dhe kufijve të tij aktualë”.

Në fillim të kësaj jave, zoti Zelenskiy prezantoi ‘planin e fitores’ për të cilin tha se do t’i mundësonte Ukrainës t’i jepte fund luftës jo më vonë se vitin e ardhshëm. Hapi i parë i këtij plani do të ishte anëtarësimi i pakushtëzuar i Ukrainës në NATO.

Ministri i Jashtëm i Francës tha se Parisi ishte i hapur ndaj idesë së një ftese të menjëhershme për Ukrainën për t’u anëtarësuar, por tha se bisedimet do të vazhdojnë për këtë temë me aleatët.

“Për sa i përket ftesës së Ukrainës, ne jemi të hapur ndaj saj dhe është një diskutim që po e bëjmë me partnerët tanë”, tha zoti Barrot.