Çdo veprim yni, si rimarrja e Afganistanit, bëhet vetëm për të mirën e Islamit“. Kjo është fraza mantra e përdorur nga talebani Mohammed Amin Ullah për të devijuar nga pyetjet e padëshiruara.
Njëzet e pesë vjeç, një ushtar i ushtrisë i cili në pak muaj mundi trupat afgane dhe ushtrinë më të fuqishme në planet që i mbështeti ata, Ullah ka një mjekër të ashpër, të errët dhe të pluhurosur.
Ai duket disa vjet më i madh, ndoshta për shkak të dimrave të shumtë nëpër male duke luftuar dhe vështirësive, që ai rrëfen se ka kaluar.
“Unë kam qenë taleban që kur isha dhjetë vjeç,” fillon ai bisedën duke buzëqeshur.
“Atëherë fillova t’i admiroj, kur babai im i strehoi për tu fshehur në shtëpinë tonë, gjatë tërheqjes së tyre të papritur nga fronti ose para ndonjë ofensive. Ata ishin heronjtë e mi. Kështu, sapo mbusha 17 vjeç, u bashkova me ta”, thotë ai
A keni kaluar më pas në trajnime ushtarake? “Jo, kam mësuar vetë të gjuaj me kallashnikov dhe raketën RPG. Megjithatë, shefat e mi më imponuan një mësim fetar, në xhamitë e fshatrave që pushtuam gjatë dimrit”.
Sinqerisht, para mëngjesit të djeshëm, ne nuk menduam se ishte e mundur të intervistonim një ushtar të tillë për jetën e tij, luftërat, ëndrrat.
I pari që iu afruam, i strukur në hijen e një ndërtese të braktisur nga ushtria amerikane, zgjati menjëherë dorën. Ai përtypi pak anglisht, dhe më pas na tha se nuk lejohej të fliste me një perëndimor.
I dyti na shikoi me përbuzje, gati i neveritur, na ktheu shpinën dhe u largua me një ritëm të shpejtë pa thënë asnjë fjalë të vetme.
E treti ishte Ullah, të cilin e gjetëm ulur në hyrje të një shërbese, përballë një rruge të zënë. Ne i kërkuam të lëvizte dhe ai na ndoqi pas një muri prej betoni që mbyti zhurmën e trafikut, ku filluam t’i bënim pyetjet tona.
Ullah lindi në Chora, në provincën e Oruzgan. “Por unë gjithmonë kam luftuar në malet e provincës Helmand. Aty ishte baza e brigadës sime”
A ka vrarë shumë burra? “Po shumë”. Por sa? “Nuk e di!”, përgjigjet ai, duke shpërthyer në të qeshur.
“Unë nuk i numërova, edhe sepse shpesh ishte e pamundur ta bëja këtë. Kur hedh një granatë nuk e di se sa ushtarë ke goditur. E njëjta gjë ndodh kur shpërthen një bombë në anë të rrugës kur kalon automjeti ushtarak. Thjesht duhet të sigurohesh që e goditi. Sigurisht që nuk shkon aty për të numëruar kufomat”.
Edhe nëse përgjigja është e qartë, ne nuk mund të mos e pyesim për sulmet e talebanëve midis civilëve që kanë pllakosur vendin në njëzet vitet e fundit, me kamikazë të dërguar nga mullahët për të kryer masakra në tregje, sheshe ose para shkollave.
A nuk e morët vesh në radio ditën tjetër, numrin e të vdekurve? Përpara se të përgjigjet, Ullah mendon për disa sekonda, pastaj shqipton frazën e tij se është vetëm për të mirën e Islamit.
Atëherë ne e pyesim atë se çfarë kuptimi ka të gjuash me gurë gratë kurorëshkelëse, të varrosura deri në qafë.
Përsëri përgjigja e tij është e parashikueshme: “Është vetëm zbatimi i Sheriatit”. A e kërkon ligji islam gjithashtu që njerëzit të vdesin duke i fshikulluar me zinxhirë biçikletash, siç bëtë ju talebanët? Dukshëm i mërzitur, Ullah reciton përsëri frazën e tij se është për të mirën e Islamit.
Ne përpjekje për ta ndaluar teksa ngrihet të largohet, ndryshojmë temë.
Ne e pyesim se cilët ishin ushtarët më të fortë kundër të cilëve ai luftoi, afganët apo amerikanët? “Afganët ishin një mijë herë më guximtarë, me të cilët gjithashtu kisha përplasje dorë më dorë. Amerikanët e bënë luftën kundër nesh vetëm duke na bombarduar me dronë. Për ta, Afganistani ishte një video-lojë“.
Ullah më tej thotë se e ka kaluar shumicën e viteve të fundit duke u fshehur nëpër male. Ndodhte që, në dimër, kur bora i bënte rrugët të pakalueshme, brigada e tij strehohej në disa fshatra barinjsh ku ai qëndronte deri në pranverë.
Tre vjet më parë, në njërën prej tyre, ai gjeti një grua dhe tani është baba i dy fëmijëve.
I pyetur nëse është i vetëdijshëm për detyrën jashtëzakonisht të vështirë që kabineti i porsalindur i Kabulit do të ketë për të qeverisur një vend në varfëri dhe ende thellësisht të ndarë, Ullah përgjigjet me një sinqeritet çarmatues: “Po, ne i dimë kufizimet tona dhe dobësitë tona. Prandaj do të hasim vështirësi në dërgimin e Afganistanit përpara, por ne do të bëjmë çmos që ajo të mos bjerë përsëri në duart e të pafeve. Ne po llogarisim gjithashtu ndihmën e vendeve myslimane që janë pranë nesh. Para së gjithash, Pakistani “.
Teksa flasim, mbërrijnë më shumë talebanë. Ata i thërrasin fjalë të pakuptueshme për përkthyesin tonë. Ullah ngrihet dhe fillon të largohet.
Një pyetje e fundit, nëse nuk e keni problem. Pse pranove të bisedosh me atë njeriun jobesimtar (në sytë e tij), kur disa muaj më parë (ai) me siguri do të më kishte rrëmbyer ose vrarë?
“Thjeshtë, sepse ne nuk jemi më ‘ kryengritësit’, siç na quanin amerikanët. Ne jemi fituesit. Dhe ju jeni të mirëseardhur”
Marrë nga ”La Repubblica”