Vandalizohet “Shqiponja dyKRENAre”

Pa u bërë 24 orë prej përfundimit të edicionit të nëntë të festivalit ndërkombëtar për artiste dhe aktiviste, “FemArt”, që sivjet ka pasur për moto “F… seksizmit”, është vandalizuar njëra prej shenjave që ka lënë edicioni i nëntë: “Shqipnoja dyKRENAre”. Murali i realizuar nga artisja Ermira Murati e njohur si Orange Girl – që për koncept ka feminitetin e shqiponjës dykrenore, e cila gjithmonë është paraqitur si një simbol burrërie dhe duke u kthyer në diçka seksiste – është mbuluar me të zezë. Kishte zënë vend në murin e objektit përballë Fakultetit të Arteve të martën e katër tetorit, në ditën e katërt të “FemArt”-it.

“Refuzojmë që ngjyra e kuqe të na simbolizojë vlerën tonë në atë ‘çarçaf’, që ngrihet dhe valëvitet nga burrat patriarkalë që dhunojnë, shtypin e vrasin vajzat dhe gratë” ka thënë Murati. Por, prej së enjtes pasdite, murali është veshur me të zeza.

“Veprim i shëmtuar dhe i papranueshëm është prishja e muralit ‘Shqiponja dy KRENAre’ të artistes Orange Girl, e cila e ka realizuar në kuadër të ‘FemArt 9’ në Prishtinë. Kujtdo që nuk mund të tolerojë mendimin ndryshe, i themi se artin nuk mund ta ndalni, mesazhin e tij aq më pak. Tashmë ai ka shkuar te publiku është bërë pjesë e tij. Shqiponja do të qëndrojë krenare edhe nëse kjo nuk i pëlqen patriarkatit e mirëmbajtësve të tij. Shqiponjat dykrenare janë vajza/gra krenare çdo ditë, çdo javë dhe muaj të çdo viti. Krenare që janë vajza dhe gra!”, ka shkruar “FemArti” në reagim, të enjten. Sipas “FemArt”-it, murali vjen si revoltë ndaj mendësisë patriarkale që i vishet flamurit, jo vlerave kombëtare që i përfaqëson. “Refuzojmë që ngjyra e kuqe të na simbolizojë vlerën tonë në atë ‘çarçaf’ që ngrihet dhe valëvitet nga burrat patriarkalë që dhunojnë, shtypin e vrasin vajzat dhe gratë. Ngjyra e flamurit tonë le të mbetet ngjyra portokalli si revoltë që kundërshton dhunën ndaj nesh. Rreth flamurit të përbashkuar me shumë qëllime dhe shumë dëshira! Qëndrojmë krenare, me njëra-tjetrën të dashuruara, si dy shqiponja krenare në flamur”, ka shkruar “FemArt”.

Artistja Orange Girl është e njohur për artin e saj aktivist, provokues dhe të guximshëm dhe nuk është hera e parë që merr reagime të tilla nga publiku. Një vepër tjetër e Orange Girl ngjalli shumë polemika këtë vit. Bëhet fjalë për veprën “Kiss” (Puthja) një pikturë ku paraqiten dy burra të veshur me veshje kombëtare duke u puthur. Kjo vepër vjen si një qëndrim kundër homofobisë dhe solidaritetit me komunitetin LGBTQ+. Projekti u realizua në bashkëpunim me “Center for Equality and Liberty” (CEL) në kuadër të Muajit të Krenarisë.