Emri Lladrovci, vëllai i kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, është nervozuar me subjektin që përfaqëson vëllai i tij, por edhe vetë deri sot.
Vëllai i kryetarit ka thënë se nga sot nuk do të jetë më as anëtar, e as votues i PDK-së.
Emri Lladrovci nuk tregoi arsyen pse premtoi se as nuk do ta votojë më PDK-në, lëre më të jetë pjesë e saj, megjithatë, tha se nëse i bashkohet ndonjë partie të politike, do të njoftojë me kohë.
“Nga sot nuk do të jem pjesë aktive asnjë subjekti politik. Ju njoftoj që nuk do të jem anëtar e as votues i PDK-së. Kurdo që do të vendosi të jem pjesë aktive e ndonjë partie të re politike do t’ju njoftoj me kohë. Ju falënderoj të gjithëve për besimin që më keni dhënë mua ndër vite”, është shprehur Emri Lladrovci.
Vëllai i tij, Ramiz Lladrovci, i cili është kryetar i Komunës së Dreanasit, zgjedhjet i fitoi duke garuar me PDK-në atje.
Zgjedhjet i fitoi në balotazh, e kundërkandidat e pati Driton Ajazin, i cili themeloi një subjekt tjetër politik, që u quajt Demokratët për Drenasin.
Ajazi i fitoi zgjedhjet e brendshme të PDK-së në Drenas dhe arriti të bëhet kryetar dege. Por, kryesia e PDK-së zgjodhi që për kryetar ta kandidojë Ramiz Lladrovcin.
Ajazi me Demokratët për Drenasin arriti ta çojë në balotazh Drenasin, megjithatë në rundin e dytë humbi nga ish-partia e vet, PDK-ja e Ramiz Lladrovcit.