Veseli: Prishja e raporteve me Amerikën, më e keqe se koronavirusi

I pari i PDK’së Kadri Veseli, ka thënë se prishja e raporteve me Amerikën është më e keqe, se koroavirusi.

Veseli ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos veprim të duhur në raport me gjendjen e krijuar si pasojë e koronavirusit në vend dhe në raport me marrëdhëniet me Amerikën.

“Shumë ndërmarrës, punëtorë, prodhues, hotelieri, tregti, nëse lihen kështu si deri më sot dhe nuk ndihmohen me një plan të qartë, të shpejtë dhe konkret, mund të dëmtohen rëndë nga ky injorim i Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ky është reagimi i plotë:

Situata e krijuar nga pandemia në vendin tonë është shumë komplekse dhe do të ketë konsekuenca shumëdimensionale.

Për fat të keq, Qeveria nuk po mund ta kuptojë rolin e vet në këtë gjendje të jashtëzakonshme.

Në këtë situatë në të cilën jemi, Kosova, pos pasojave momentale, do t’i ketë edhe pasojat afatgjate për të ardhmen, në kontekstin ekonomik dhe politik.

Shumë ndërmarrës, punëtorë, prodhues, hotelieri, tregti, nëse lihen kështu si deri më sot dhe nuk ndihmohen me një plan të qartë, të shpejtë dhe konkret, mund të dëmtohen rëndë nga ky injorim i Qeverisë së Kosovës.

Shtetet e fuqishme menjëherë kanë fokusuar programet e tyre qeverisëse në parandalimin dhe sanimin e këtyre pasojave fatale për ekonominë dhe shtetin e tyre në të ardhmen.

Edhe Qeveria jonë, edhe Kryeministri, duhet ta kuptojnë se kjo është detyra e tyre para qytetarëve. Ekonomia dhe bizneset e vendit tonë nuk duhen injoruar, nuk duhen harruar, nuk duhet lënë pa ide dhe vendimmarrje në këtë situatë, siç po ndodh aktualisht.

Po ashtu, në kontekstin politik, një çështje tejet e rëndësishme nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes: raportet tona me SHBA-të. Antiamerikanizmi i Qeverisë Kurti po i shkatërron këto marrëdhënie dhe po i largon investitorët amerikanë nga Kosova. Kjo mund të jetë me pasoja shumë më të rënda e më të mëdha sesa Coronavirusi. Sidomos tash, kur na është bërë e ditur sa vlen ndihma e miqve në kohë të vështira.

Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër duhet të punojnë mirë dhe mençur, e të mos e rrezikojnë vendin.