Ka përshkallëzuar me përleshje fizike e verbale, seanca e tensionuar për Kosovën në parlamentin e Serbisë. Në seancë, Presidenti Vuçiç foli për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe planin franko-gjerman, të cilin opozita e cilësoi si kapitullim për Serbinë.
Deputetët e opozitës thërritën slogan të tilla si “tradhti”, apo “nuk do të heqim dorë nga Kosova”, para se të konfrontoheshin me pjesëtarë të partive të koalicionit qeverisës.
Në seancën e tensionuar, ku siç tha në fillim të fjalës së tij, nuk ishte një përpjekje për të bartur përgjegjësinë por për të treguar sinqerisht atë që pret vendin, Vuçiç përdori sërish kartën e presionit ndërkombëtar për të pranuar planin franko-gjerman, në mënyrë që të zbusë zërat kundër.
“Jemi në një moment shumë delikat. Nga njëra anë duhet të mbrojmë njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi. nga ana tjetër duhet të shmangim ndëshkimin e Perëndimit. Ata më kanë thënë tekstualisht; se nëse nuk e implementojmë propozimin do të pezullojnë negociatat e integrimit dhe investimet për serbinë”, tha Vuçiç.
90% e asaj që është publikuar, nga plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i vërtetë, sipas Vuçiç. Pikën 4 të këtij propozimi, ku Serbisë i kërkohet të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ai e cilëson si më të vështirën.
“Më e rrezikshmja është pika 4 paragrafi. Paragrafi 2 thotë se Serbia nuk dot ë kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Edhe nëse kundërshtojmë ata kanë shumicën në Këshillin e Europës dhe në NATO. Edhe vendimin për në BE janë ata që e marrin”, tha Vuçiç.
Plani i cili nuk është bërë ende publik nuk përfshin njohje reciproke, por i kërkon palëve të mos pengojnë proceset integruese të njëra-tjetrës. Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë. Në mesin e tyre edhe Milan Radoiçiç, nënkryetari i Listës Serbe, që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.