VIDEO/ Kapje e mediave dhe shantazh – Biseda telefonike që tregon ndikimin e drejtorit të NjIF-it, Dardan Nuhiut dhe planin e tij për ta “kapur sistemin medial”

Dardan Nuhiu ka informata për të gjithë. Si drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës ai ka grumbulluar informacione për shumë persona në strukturën shtetërore. Siç thotë ai “prej ma të voglit e deri tek ata naltë”. Prandaj, tash dëshiron t’i shfrytëzojë këto informacione për të shantazhuar sa herë që ka nevojë. Plani i tij është “ta kapi sistemin medial”.

Më pas me anë të shantazhit nga mediat e tij t’i detyrojë njerëzit të bëjnë atë që ai thotë. Skemën veç më ka filluar ta realizojë. E ka blerë një radio. Tash është në bisedime edhe me dy tre media të shkruara, “dy-tre portalet ma t’forta që janë këtu te na”, thotë Nuhiu, derisa ia shpalosë planin malicioz një personi që i kërkon partneritet, në një telefonatë që e ka siguruar redaksia e Gazetës Online Shqip.com.

Biseda telefonike e Nuhiut shpërfaqë fuqinë e tij edhe në strukturën politike në Kosovë. Ai vendos se cili gjyqtar gradohet nëse i “i ka kry punët qysh duhet”. Njëri, që ka vepruar sipas direktivave të Nuhiut, thotë se “ia kom mbledh 62 deputetë”, për ta bërë, siç shprehet Nuhiu “babën e Gjykatësve n’krejtë Kosoven”.

Pas ndihmës së ofruar për gjykatësin në fjalë, nëse nuk vazhdon të qëndrojë nën direktivat e Nuhiut, ai e kërcënon.

“Thash t’kthej n’pikën zero. E dhezë zjermin me gurë”, tregon Nuhiu t’i ketë thënë njërit nga ata që i ka ndihmuar të votohen, në këtë bisedë telefonike të realizuar gjatë muajit korrik (2020).

Dardan Nuhiu është drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës qysh nga viti 2011. NjIF-i është institucioni qendror i pavarur kombëtar në kuadër të Ministrisë së Financave.

E themeluar në vitin 2004 si Qendra për Inteligjencë Financiare, është përgjegjëse për kërkimin, marrjen, analizimin dhe shpërndarjen tek autoritet kompetente dhe bërjen publike të informacionit në lidhje me pastrimin potencial të parave dhe financimin e terrorizmit.

Në Bordin mbikëqyrës, që supozohet të sigurojë pavarësinë e agjencisë, janë nga Ministri i Financave, i cili shërben në cilësinë e Kryetarit të Bordit, pastaj Ministri i Punëve të Brendshme, Kryeprokurori i Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtori i Administratës Tatimore, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kompetencat e kësaj agjencie shtetërore janë tejet të mëdha. NjIF-i bën kërkimin, marrjen dhe analizimin e aktiviteteve/transaksioneve të dyshimta. Gjithashtu atë të raporteve të parave në të gatshme dhe informatave nga burimet tjera në lidhje me dyshim për pastrimin e parave.

Kjo agjenci, ku Nuhiu është drejtor, gjithashtu bën edhe shpërndarjen e informatave në lidhje me dyshimin për pastrim të parave dhe financim të terrorizmit tek autoritetet kompetente.

Prandaj Nuhiu thotë se “i kom senet për krejtë”.

“Sene” që i përdorë për të shantazhuar funksionarë brenda institucioneve kurdo që i nevojitet, sepse “krejt i kom n’dorë”.

Por, plani i Nuhiut është ta zgjerojë ndikimin edhe më shumë. Prandaj i nevojiten mediat në Kosovë.

“Jon 2-3 portalet ma t’forta që janë këtu te na. Jom në bisedime me i marrë. Me hi ka 50%. Që je i interesum njonën. Ti sa jau jepë kudrave. Njonën ty, njonën me hy me mu dikun”, tregon Nuhiu duke vazhduar me detaje të tjera.

E krejt këtë thotë se mund ta bëjë, “se i kom informatat”.

Derisa vazhdon rrëfimin në kërkim të partneritetit për kapjen e mediave Nuhiu tregon se punën si zyrtar shteti nuk e ka ndërmend ta lë.

Madje “mas dy vjete synoj tjetër kunë me shku”.

I gjithë ky masterplan i Nuhiut që tashmë ka filluar me blerjen e një radio bëhet për të përfituar. Nuhiu deklaron se e ka kuptuar rëndësinë e mediave në këtë aspekt.

“Na vynë. Na vynë. Na vynë me hy diku. Kur dojna me ju lëshu dikujna na vynë”.

Nuhiu thotë se ka kohë që po e mendon strategjinë e tij; “E kom mëndu gjatë unë këtë punë”.

Ai synimin e ka ta realizojë brenda dy vjetësh.

“Unë besoj që për nja, krye 2 vjete unë i kapi krejtë qeto ma t’fortat qi jonë, jom n’krye unë. A po kupton. E tani zgjedh. Zgjedh ku don me shku. Ose çiftin tondë për shembull. Ty po t’ngucin? Po. Ja lëshojë mediat pse po e ngucni njërin”.

Kështu e ka ndërmend të bëjë Dardan Nuhiu, por gjithashtu edhe të përkrahë njerëz të pushtetshëm me të cilët ka raporte të mira. Thotë se me disa prej tyre edhe udhëton bashkë. E përkrahin, prandaj pohon se ua kthen njëjtë.