Profesoresha shqiptare në Harvard, Detina Zalli ka reaguar sa i takon lajmeve më të fundit të publikuara nga mediat angleze si dhe deklaratat e sekretares së Brendshme së Britanisë, Suella Braverman mbi emigrantët e paligjshëm shqiptarë.
Nëpërmjet një videoje të postuar në rrjetin social “facebook”, Zalli ka treguar rrugëtimin e saj të përshkuar për të arritur të jetë shkencëtarja më e re në Harvard, duke drejtuar edhe kurse për studentë universitarë dhe pasuniversitarë.
Ajo shkruan se ishte ndjerë e trishtuar duke parë etiketimet që mediat britanike kishin bërë për emigrantët shqiptarë të cilët jetojnë në Britani të Madhe dhe se situata e krijuar i kishte kujtuar periudhën e saj gjatë moshës 13 vjeçare kur kishte mbërritur me familjen e saj në Britani me qëllim për të shpëtuar nga lufta civile e vitit 1997 në Shqipëri.
Gjatë ditëve të fundit, jam ndjerë e trishtuar nga mënyra se si media në Mbretërinë e Bashkuar u është referuar shqiptarëve me kaq negativitet, duke i etiketuar ata “kriminelë. “Kjo më solli kujtimet kur isha 13 vjeç dhe fëmijët e tjerë në shkollën time në mënyrë rutinore më referuan si “një kriminel” për arratisje në Mbretërinë e Bashkuar për t’i shpëtuar luftës civile. Kjo vazhdoi për tre vjet rresht. Çdo ditë. Isha e shkatërruar, më mungonte vetëvlerësimi dhe jeta ime nuk kishte kuptim. Kanë kaluar njëzet vjet, dhe gjatë kësaj kohe kam pasur bekimin të punoj në disa nga universitetet më prestigjioze në botë, përfshirë Universitetin e Harvardit, Universitetin e Oksfordit dhe Universitetin e Kembrixhit.
Unë kam qenë shkencëtarja më e re post-doktoral në Harvard, kam drejtuar kurse për studentë universitarë dhe pasuniversitarë, kam fituar shumë bursa dhe kam bashkëpunuar me laureatët e çmimit Nobel. Por më e rëndësishmja, unë kam ndikuar në jetën e më shumë se 10,000 studentëve nga prejardhje të ulët socio-ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Indi, Kinë dhe Evropën Lindore. Kam ndihmuar refugjatët, emigrantët dhe pacientët me kancer (dhe do të vazhdoj ta bëj këtë).
Po. Dhe unë jam shqiptare. Si fëmijë, nuk mund të mbrohesha. Ndjej se është e rëndësishme të ngre zërin për të shpëtuar fëmijët e tjerë shqiptarë që shkojnë në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar dhe që mund të përjetojnë bullizëm Shpresoj që media në Mbretërinë e Bashkuar të reflektojë për këtë. Siç them shpesh: “Pavarësisht se nga je. Të gjithë flasim të njëjtën gjuhë. Gjuha e ADN-së! “
Mes të tjerash, ajo shton se ndihej krenare që ishte shqiptare ashtu si Nënë Tereza.
“Emri im është Detina. Unë jam shqiptar ashtu siç ishte nënë Tereza. Kam punuar në disa nga universitetet më prestigjioze në botë. Por për mua promovimi më i madh është të qenit “NJERI”. Barack Obama dikur tha: “Bëhu ndryshimi që kërkojmë”. Le të jemi ky Ndryshim duke përqafuar Gjithëpërfshirjen dhe Diversitetin të cilat na japin Bukuri dhe Forcë! Dhe gjithmonë kujto: “Pavarësisht se nga jeni, ne flasim të njëjtën gjuhë. Gjuha e ADN-së! “- shkruan ajo në një tjetër postim të saj.
Diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, pas deklaratave të bëra nga sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale. Ndaj kësaj deklarate është përgjigjur edhe kryeministri, Edi Rama i cili i konsideroi deklaratat e saj si “britmë në çmendinë”, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak ka deklaruar se kishte në plan firmosjen e një marrëveshje me Francën për parandalimin e emigrantëve të paligjshëm në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar.