Si kudo, edhe në Indi, policia ka dalë në rrugë për të moslejuar shkeljen e karantinimit në kuadër të masave anti-COVID. Por forma ndëshkuese e njëherësh ndërgjegjësuese që ka gjetur, është fantastike në unikalitetin e vet.
Më konkretisht, policia ndaloi disa të rinj me motor në shkelje të plotë të masave.
Ajo nuk zgjodhi t’i arrestojë, as t’i gjobisë, por forcërisht i futi në një ambulancë. Aty brenda ndodhej një pacient i infektuar që kollitej vazhdimisht.
Kjo bëri që të rinjtë të tmerroheshin e të tentonin daljen nga ambulanca me të gjitha mënyrat.
Në fakt, gjithçka ka qenë një truk; pra, i infektuari aktronte si i tillë, sigurisht pa e ditur të rinjtë e ndaluar.
“Njerëzit nuk e kuptojnë se sa i frikshëm është virusi, sepse ata nuk mund ta shohin atë. Por ai mund të jetë kudo. Kjo është arsyeja pse qeveria ka vendosur një karantinë dhe një shtetrrethim,” tha një zyrtar i policisë, duke shpjeguar skenën e sajuar në funksion të një ndërgjegjësimi.
Tej anës serioze të çështjes, skenat të bëjnë të mbash barkun me dorë…