Shqipëria do të mirëpresë vitin tjetër Samitin e Komunitetit Politik Europian. Një ditë pasi kryeministri britanik Keir Staremer e njoftoi këtë në konferencën përmbyllëse të takimit të Komunitetit Politik Europian të mbajtur në Pallatin Blenheim, kryeministri Rama ndan me ndjekësit lajmin në rrjetet sociale.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare ky është një tjetër fakt i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku më parë shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, ndërsa sot jemi stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik.
“Mirëmëngjes dhe me lajmin e bukur se Shqipëria do të mikpresë vitin tjetër Samitin e Komunitetit Politik Europian, si një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”.