Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë. Cak i hajnave janë më së shumti arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me para, por në raste tjera edhe gjësende tjera materiale.
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur së fundi në një xhami në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka vjedhur një pajisje elektronike.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga imami i xhamisë, i cili gjithë ngjarjen e ka vërejtur përmes kamerave të sigurisë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në identifikimin e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.