Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për raportet mes partisë së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës së VV’së në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Osmani ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se “dje i ka ndodhur një goditje jashtëzakonisht e madhe relacioneve LDK-VV”.
Ajo po ashtu ka folur për rolin e saj, si ish-kandidate e LDK’së për kryeministre, në diskutimet mes dy partive për formimin e një koalicioni qeverisës, të udhëhequr nga Albin Kurti i VV’së.
“Jam duke i realizuar premtimet që i kam dhënë para votuesve, para qytetarëve”, është shprehur ajo.
“Në mes të protagonizmit mediatik dhe punës aty ku duhet, në tavolinën e negociatave, e kam zgjedhur këtë të dytën”, ka thënë Osmani.
“Kam besuar që ky koalicion duhet të ndodhë. Kemi përgjegjësi të madhe që një koalicion i tillë duhet të realizohet”, ka deklaruar ajo.