Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, dhe ish-i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, janë përplasur në Twitter me replika të ndryshme për pikëkalimin në Merdar, por situata u tensionua dhe raportuesja e Parlamentit Evropian i përmendi Grenellit edhe rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 në mars të vitit 2020.
Gjithçka filloi me një postim të Grenellit ditën e sotme, ku shkroi: “Sot kalova kufirin me Kosovën dhe Serbinë në Merdar. Donald Trump e vuri në funksionim këtë pikë të re kalimi si pjesë e 4 Marrëveshjeve të Normalizimit Ekonomik që ai arriti”.
Por Von Cramon iu kundërpërgjigj duke thënë se pikëkalimi i Merdarit u ndërtua nga paratë e taksapaguesve të BE-së dhe ironizoi me një pjesë të Marrëveshje së Washingtonit, e arritur në shtator të vitit të kaluar mes Kosovës dhe Serbisë, në kohën e presidentit Donald Trump.
“Do të ishte mirë nëse do të ishte e vërtetë”, shkroi fillimisht Von Cramon në replikën ndaj Grenellit. “Pikëkalimi i Merdares u ndërtua nga 6 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së. Herën tjetër në vend që të riemërtoni liqenin e Gazivodës sillni edhe pak para”.
Por Grenelli vazhdoi replikën duke thënë se BE-ja e ndërtoi këtë pikëkalim, por nuk arriti ta hapte.
“Ju me të vërtetë e ndërtuat atë. Por ju s’keni mundur ta hapni. Derisa Donald Trump e hapi atë. Të dy palët dukej se nuk ju dëgjuan”.
Në këtë pikë, Von Cramoni “goditi” Grenellin duke i përmendur rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, që sipas saj, “BE-ja nuk preferon të rrëzojë një qeveri demokratike në mënyrë që të kemi një të re që do të na dëgjojë”.
“Fatkeqësisht, historia nuk filloi me Trumpin, pasi kalimi në Merdar funksionoi për vite më parë. Sa i përket rihapjes në vitin 2020 pas tarifave, ne në BE preferojmë të mos rrëzojmë një qeveri demokratike në mënyrë që të kemi një të re që do të na dëgjojë. Qëndrim i këndshëm në rajon”.
Në replikën e fundit, Grenelli i thotë Von Cramonit se “ndryshoi temë sepse nuk arritën ta hapnin pikën e re kufitare”.
“Oh Viola. Ju thjesht ndryshuat temë sepse s’arritët ta hapnit pikën e re kufitare – dhe për këtë arsye nuk dini çfarë të thoni. Trumpi e bëri atë pasi ju nuk mundet. Ndoshta bisedimet tuaja nuk po funksionojnë?!”.