Vrasësi Dan Hutra i akuzuar për vrasjen e 3 grave dhe plagosjen 3 të tjerave në zona të ndryshme të Tiranës ka tentuar të arratiset nga burgu i Fierit paraditen e sotme por është kapur në flagrancë.
Plani kriminal për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar dhe në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë. Në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara.
Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar i burgosuri me potencial të lartë rrezikshmërie, Dan Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht: një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara.
Të dhënat paraprake tregojnë për bashkëpunim ndërmjet të katër të burgosurve, për thyerje të sigurisë dhe tentativë arratisje. Prokuroria është duke kryer hetime për ngjarjen.
Të përfshirë në këtë ngjarje janë:
1. Dan Hutra, me histori të përsëritur kriminale, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Vrasje për shkak të mardhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c, “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c-22, si autor i dyshuar për vrasjen e katër personave.
2. Martin Kapllani, me masë sigurimi “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja”.
3. Geraldo Veizaj, me masë sigurimi personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja”.
4. Feti Kovaçi, me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”.