Samir Handal u arrestua të hënën në aeroportin e Stambollit, rrugës nga SHBA-ja në Jordani, në bazë të një urdhër-arresti të kuq të Interpolit.
Autoritetet turke kanë arrestuar një person të dyshuar për vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise.
Sipërmarrësi i dyshuar Samir Handal u arrestua mëngjesin e të hënës në aeroportin e Stambollit, rrugës nga Shtetet e Bashkuara për në Jordani, në bazë të një urdhër-arresti të kuq të Interpolit.
Handal u urdhërua nga autoritetet turke të mbahej në paraburgim për 40 ditë, raporton AP.
Ministri i Jashtëm i Haitit, Claude Joseph tha se kishte folur me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu për arrestimin e Handal, pa dhënë detaje.
Handal përmendet si një nga komplotistët që vrau Moise, për të cilin më shumë se 40 të dyshuar janë arrestuar deri më tani, duke përfshirë 18 ish-ushtarë kolumbianë dhe disa oficerë policie Haitiane.
Autoritetet kolumbiane thanë se shumica e ish-ushtarëve të arrestuar të atij vendi nuk ishin në dijeni të natyrës së operacionit për të cilin ishin punësuar.
Moise, i cili u bë president në vitin 2017, u qëllua për vdekje më 7 korrik në shtëpinë e tij, ku dhe gruaja iu plagos në sulm.
Vrasja e Presidentit të Haitit ka thelluar paqëndrueshmërinë politike në vend, i cili po përpiqet të rikuperohet edhe nga tërmeti me magnitudë 7.2 ballë, i cili vrau më shumë se 2200 njerëz në mes të gushtit.
Haiti është goditur gjithashtu nga dhuna e shtuar e bandave dhe mungesa e rëndë e karburantit.