Vritet militanti pakistanez në Afganistan, ndër më të kërkuarit nga SHBA-të

Një militant i lartë pakistanez me tre milionë dollarë amerikanë shpërblim për vrasjen e tij është vrarë së bashku me tre ndihmës në Afganistan.

Kështu kanë bërë me dije tre komandantë militantë dhe një zyrtar i inteligjencës.

Referuar zyrtarëve të atjeshëm, vdekja e Abdul Wali, i njohur gjithashtu si Omar Khalid Khurasani, mund t’i jepte një goditje bisedimeve të sapolindura të paqes midis talebanëve pakistanezë dhe qeverisë pakistaneze.

Kjo, pas takimeve të ndihmuara nga sundimtarët talebanë në Kabul.

Khurasani dhe ndihmësit e tij u vranë në një shpërthim nga një bombë e dukshme në anë të rrugës teksa udhëtonin me një makinë në provincën juglindore të Paktia.

Sakaq, autoritetet vendase nuk kanë thënë se kush besonin se qëndronte pas sulmit.

Kurse një komandant i katërt militant e ka konfirmuar vdekjen e tij në Twitter. “Ai nuk është më me ne”, ka shkruar Ehsanullah Ehsan.

Khurasani ishte shefi i Jamat-ul-Ahrar (JuA), cilësuar si një grup terrorist nga OKB-ja dhe SHBA-të, të cilat kishin ofruar tre milionë dollarë për informacionin që çonte në kapjen ose vdekjen e tij.

Raportimi për vdekjen e një militanti të lartë islamik pakistanez në Afganistan ka ardhur vetëm një javë pasi SHBA-të thanë se vranë liderin e Al-Qaeda-s, Ayman al-Zawahri, në një sulm në Kabul.

Grupi i Khurasani-t ka marrë përgjegjësinë për sulme të shumta kundër policisë, ushtrisë, myslimanëve shiitë dhe të krishterëve të pakicës, të cilat kanë vrarë qindra njerëz në Pakistan.

Ndër tre militantët e tjerë të vrarë së bashku me të, njëri ishte myftiu Hasan, i cili është përshkruar nga zyrtarët pakistanezë si një komandant i lartë që punon për Shtetin Islamik.