Si do ta presë Putini këtë deklaratë të hapur kundër Rusisë nga Serbia?
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç sapo ka bërë një deklaratë e cila e vendos Serbinë në një pozicion edhe më të vështirë me një nga aleatët e saj më të rëndësishëm.
Serbia ‘nuk do t’i njohë’ rezultatet e referendumeve ‘të rreme’ sipas saj në 4 rajone të okupuara të Ukrainës, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Pritet që Vladimir Putin të shpallë aneksimin e katër rajoneve – Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia – në një fjalim ditën e premte.
Që tani kanë nisur të bëhen përgatitjet për një ngjarje në Sheshin e Kuq në Moskë, me pankarta ku shkruhet: “Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia – Rusi!”
“Serbia … nuk do t’i njohë ato (referendumet) pasi i përmbahet ligjit ndërkombëtar, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutave të OKB-së,” tha Vuçiç.
Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është e varur nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore.
Ajo gjithashtu ka refuzuar vazhdimisht të mbështesë pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara dhe thotë se e respekton plotësisht integritetin territorial të Ukrainës.
Me sa duket, me anë të këtij vendimi, Vuçiç i trembet një skenari të ngjashëm dhe një precedenti i cili do të legjitimonte shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ne po mbrojmë integritetin tonë territorial dhe është në interesin tonë më të mirë të mbrojmë integritetin territorial të vendeve të tjera të njohura ndërkombëtarisht”, tha Vuçiç.