“Aleksandër Vuçiç jeton në një fantazi politike dhe diplomatike. Gjithçka që thotë është krejtësisht jashtë realitetit politik, gjeopolitik dhe ndërkombëtar”.
Kështu të paktën ka deklaruar avokati serb, Çedomir Stojkoviç, duke komentuar deklaratën e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se Ukraina shkatërron gjithçka brenda një ditë nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.Sipas Stojkoviç askush në Evropë nuk e sheh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë madje as ato shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Edhe ato vende e shohin Kosovën si të pavarur, thjesht nuk e njohin”, thotë Stojkoviç për mediumin serb opozitar, Danas.
Vuçiç sipas Stojkoviç e ka njohur Kosovën dhe e vetmja gjë që Vuçiç nuk e njeh është se ai e ka njohur Kosovën.
“Vuçiç ka lidhur një marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën, jashtë institucioneve të Serbisë, dhe në këtë mënyrë ka njohur ekzistencën e Kosovës si shtet”.
Stojkoviç thotë se mosnjohja e Vuçiç-it se e ka njohur pavarësinë e Kosovës rrjedh nga rinia e tij, duke qenë se ishte “student më i keq në Fakultetin Juridik”.
Ajo që Vuçiç dëshiron të arrijë, thotë avokati, me njohjen e Kosovës është të mbetet përgjithmonë në pushtet.
“Ai mendonte se nëse e njihte Kosovën, do të ishte në gjendje të qëndronte në pushtet përgjithmonë, se Perëndimi dhe bota do t’ia lejonin një gjë të tillë – të jetë poltronë e Rusisë dhe në të njëjtën kohë të jetë diktatori i Serbisë“, thotë Stojkoviç.
Ai ka deklaruar se “vetëm studentët më të këqij të drejtësisë si Vuiçiç-i mund të mendojnë se Donbasi dhe Krimea do të jenë pjesë e Ukrainës për shkak të disa parimeve”.
“Donbasi dhe Krimea do të jenë pjesë e Ukrainës vetëm nëse Ukraina fiton luftën. Po ashtu edhe Kosova. Kosova do të ishte pjesë e Serbisë nëse Serbia do të kishte fituar në vitin 1999”.
Ai shton se kjo politikë e Millosheviç-it është në fakt politika që Vuçiç-i dhe Dodik-u duan ta bëjnë sërish në Ballkan, si hakmarrje për politikën e humbur të viteve 90-ta.
“Është koha e fundit që Vuçiç ta kuptojë se si sovran që ka qeverisur kaq gjatë, duhet të tërhiqet nga politika dhe t’ua lërë politikën njerëzve më të zgjuar, sepse të gjitha hapat e tij të mëtejshme çojnë në rrezikimin e vetë ekzistencës së shtetit.
Po hyjmë në probleme ekonomike, pagat do të bien, inflacioni do të rritet. Gjithnjë e më shumë njerëz do të largohen. Serbia duhet të jetë pjesë e Evropës dhe mike e Perëndimit, sepse vetëm kështu kemi shpresa për t’u zhvilluar”, përfundon Stojkoviç për Danas.