“Nuk do të kapitullojmë, nuk do të kthehemi në nëntëdhjetat” – këtë mesazh dhanë dy kryeshtetarët serbë para nisjes në Bruksel në Takimin e Nivelit të Lartë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ana Brnabiq për herë të parë udhëton në Bruksel në shoqërimin e Aleksandar Vuçiq, ndërsa kaherë është spekuluar se Vuçiq do t’ia lë nënshkrimin e marrëveshjes asaj, për të mos ekzistuar firma e tij në nënshkrimin e një marrëveshje Kosovë-Serbi.
“Po nisemi pas 15 minutave, i kemi kryer përgatitjet finale”, thanë në videon e përbashkët Aleksandar Vuçiq dhe Ana Brnabiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë takim të nivelit të lartë të hënën në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sipas informacioneve të para, pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 15:00, ndërsa në orën 16:15, Borrell do ta takojët presidentin Vuçiq.
Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Fokusi takimeve do të jetë mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.