Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zbuluar detaje në lidhje me vazhdimin e mundshëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se po iu bëhet presion nga të gjithë për të arritur një zgjidhje, por, sipas tij, të gjithë janë për Kosovën e pavarur, prandaj ai më 23 qershor do të shkojë në Moskë, kurse tri ditë më vonë në Uashington.
Presidenti serb duke folur për rifillimin e dialogut, në televizionin serb ‘TV Prva’ ka thënë se “para nesh është një platformë e re negociuese që nënkupton shfuqizimin e Rezolutës 1244.
“Nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre as Gjermania as Britania e Madhe [lidhur me statusin e Kosovës]. Pres ardhjen e Miroslav Lajçakut [në Serbi] menjëherë pas zgjedhjeve, ndoshta më 22 qershor. Më 23 qershor do të shkoj në Moskë, më 25 ose 26 qershor do të shkoj në Uashington. Të gjithë po na bëjnë presion. Nuk e di pse është e rëndësishme nëse do të na ulë në tryezë Lajçak, ose Grenell, kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Propozimi i tyre do të jetë Kosova e pavarur. Dhe Evropa dhe Amerika do të na kërkojnë ta pranojmë këtë në një mënyrë ose një tjetër. Bisedimet kryesore do të zhvillohen nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian, sepse ne jemi në rrugën evropiane”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka folur për atë që përmban platforma të cilën Serbia do ta prezantojë dhe çfarë do të thotë.
“Ne sigurisht do ta pranojmë palën evropiane, sepse jemi në rrugën evropiane, por nuk mund t’i themi “jo” Grenellit. Kjo nuk do të na ndihmojë fare. Për ne është e rëndësishme harmonia jonë, uniteti ynë dhe është e rëndësishme që njerëzit të shkojnë në votime. Të treguar se kemi forcë të mjaftueshme për të thënë “jo” ose për të pranuar një kompromis. Ne nuk mund ta zgjidhim lehtë këtë, kjo është arsyeja pse unë thashë që Serbia nuk do të shkojë me flamur të bardhë”, tha Vuçiq.
Më tej ai duke folur për platformën e tij, tha se “…ata [BE dhe SHBA] duan që Serbia të mos marrë asgjë. Ne duhet të negociojmë, madje duhet të negociojmë edhe për asgjë… Kosova është një shtet i pavarur, ajo qëndron në platformën e Evropës dhe Amerikës, kurse në vendin tonë Kosova është pjesë e Serbisë”, ka thënë Vuçiq.