Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar ta quajë aksioni e djeshëm të Policisë e Doganës së Kosovës kundër kontrabandës si një provokim të rëndë për serbët në Kosovë.
Ai në një deklaratë të bërë sot në Pançevë, përcjell agjencia Tanjug, ka thënë se luftimi i kontrabandës ishte vetëm një arsye për të hyrë në veri dhe për të frikësuar serbët.
“Kjo është hera e shtatë apo e tetë që e bëjnë për të treguar forcën. Gjithçka që mendojnë se mund t’ua bëjnë serbëve, le ta bëjnë dhe pastaj do të shohin se si do të jetë reagimi jonë. Dorëzimi nuk është opsion dhe e jona është të luftojmë. Do të mbrojmë popullin tonë, Si? Uroj të mos vijë puna ta shihni se si”, ka thënë Vuçiq.
Ai dje, pas aksionit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë e Zveçan, ku pati rezistencë të serbëve lokalë, i mblodhi ata në Rashkë dhe u premtoi se “Serbia më nuk do të lejojë që kjo të përsëritet”.
Njëjtë kishte thënë edhe para dy javëve kur Kosova vendosi reciprocitet për targa të veturave dhe nisi policinë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, për të garantuar këtë proces.
Gjatë aksionit të djeshëm, Policia e Kosovës ka njoftuar se në nivel vendi ka arrestuar tetë persona për kontrabandë, ndërkohë që 10 pjesëtarë të Policisë janë lënduar në veri nga sulmet e serbëve me granata dore, gurë e gjëra të tjera.
Policia është në kërkim edhe të pesë personave.