Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar “një bisedë të vështirë dhe domethënëse”.
“Ne do të vazhdojmë sonte dhe nesër bisedimet për Kosovën dhe Metohinë dhe të ardhmen evropiane të Serbisë”, shkroi ai në llogarinë e tij në Instagram.
Zyrtari evropian më 13 mars nisi vizitën e tij në Serbi, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Të dy liderët do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Lajçak u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, pas qëndrimit dyditor javën e kaluar Prishtinë, ku bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe aktorë të tjerë politikë.
Më 13 mars, para takimit me Lajçakun, Vuçiq tha se do të diskutojë se çfarë mund të bëhet në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Por, nëse dikush nuk është i gatshëm as të flasë, e lëre më të zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë nuk ka kuptim”, tha Vuçiq.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë rruga drejt zbatimit të së ashtuquajturës, Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.
Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.