Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka harruar ish-shefin e tij, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ai deklaroi së fundmi se Millosheviqi “nuk e pati lehtë”, teksa po fliste për problemet që duhej të zgjidheshin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i lë faj Millosheviqit vetëm që, siç thotë ai, nuk ka mundësi të llogarisë mirë ose ta shohë mirë situatën.
Vuçiq tha në TV Pink se “ne kemi ardhur kështu në një pozitë të vështirë”, duke përmendur largimin e serbëve që tha se u bë në fillim të viteve ’90.
“Nuk ishte e lehtë apo e thjeshtë për Millosheviqin. Ai i bëri të gjitha llojet e gabimeve, por nuk është fajtor për vrasjen e vendit, janë ata që e bënë këtë. Por ai është fajtor që nuk ishte në gjendje të llogariste dhe të shihte mirë, kështu që ne paguajmë çmimin. Pastaj erdhi një grup i papërgjegjshëm”, tha Vuçiq.
“Millosheviqi të paktën kishte emocione dhe luftoi për Kosovën”, theksoi Vuçiq, i cili atëherë i shërbente atij si ministër i Informacionit.
Pas Millosheviqit, ai tha se në pushtet në Serbi erdhi një grup njerëzish që s’ishin të interesuar për çështjet me të cilat merrej kasapi i Ballkanit.
“Situata në të cilën ndodheshim nuk është aq e tmerrshme tani sa mund të kishte qenë”, tha Vuçiq.
Ai e përmendi edhe vendimin e Gjykatës së Apelit në Kosovë e cila e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, pasi e quajti trillim masakrën e Reçakut.
“U prezantua një shkelje verbale, e cila mbështetet nga vende të caktuara perëndimore. Ata shkelën brutalisht marrëveshjen e Brukselit. Duhej të ishin dy serbë në Kolegjin e Apelit dhe nuk kishte gjyqtarë serbë. Në këtë mënyrë, ju nuk mund ta jepni një aktgjykim”, tha Vuçiq
Ai tha se kjo ajo që deklaroi Todosijeviqi është diçka që “99 për qind e serbëve e mendojnë”.
Todosijeviq pati deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”. Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.
Millosheviqi ishte arrestuar më 1 prill të vitit 1999 në Beograd. Më 28 qershor, u ekstradua në Hagë nën aktakuzat për krime lufte në Kosovë. Më vonë Millosheviqi u akuzua për krime makabre në Kroaci dhe gjenodidin në Bosnje – Hercegovinë.
Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë së fundmi ka publikuar në faqen e saj të internetit të gjithë aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin ish-shefat e Shërbimit të Sigurisë Shtetërore Serbe, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq u dënuan me nga 12 vjet burg secili. Një pjesë e rëndësishme e këtij aktgjykimi flet edhe për kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin dhe planin e tij gjenocidial