Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i gatshëm të bëjë zgjidhje kompromisi për të arritur një marrëveshje me Kosovën ku “serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku”.
Para takimit me kryeministrin Albin Kurti në Ohër më 18 mars, Vuçiqi ka thënë se nuk ka rëndësi koha se kur do të arrihet kjo marrëveshje, porse siç thotë ai, do të ishte sukses historik nëse do të ndodhte.
Presidenti serb ka këmbëngulur se gjithçka çka është nënshkruar mes Beogradit dhe Prishtinës dhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian duhet të zbatohet. Ai ka thënë se kur është fjala për Asociacionin nën patronatin e BE-së, janë nënshkruar katër marrëveshje.
“Këto janë katër marrëveshje. Ne tashmë kemi nënshkruar gjithçka dhe natyrisht është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe duhet të zbatohet. Dhe ky nuk është qëllimi përfundimtar. Qëllimi përfundimtar është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku, të jetojmë shumë më mirë dhe të respektojmë njëri-tjetrin pa hasmëri. Nuk kam në plan të flas për fajin e askujt, nuk ka rëndësi nëse do të ndodhë për tre muaj apo tre vjet, por nëse ia dalim do të jetë sukses historik”, ka thënë Vuçiq për Euronews.
I pyetur për “vijat e kuqe” të Serbisë para takimit të Ohrit pas dy ditëve, presidenti i Serbisë ka thënë se nuk flet shpesh për vijat e kuqe, sepse nëse flitet shumë, atëherë sipas tij, nuk ka negociata reale dhe “pala tjetër do të insistojë vetëm në ato vija të kuqe”.
“Është më e rëndësishme, të flasim siç duhet, dhe kjo do të thotë të përpiqesh të gjesh zgjidhje kompromisi”, ka thënë ai.
“Ne jemi gati ta bëjmë. Sigurisht që të dyja palët kanë vijat e tyre të kuqe dhe këtë nuk mund ta mohoj, por ne, besoj se të dyja palët, duhet të bëjmë shumë për të normalizuar situatën mes popujve tanë, dhe duke pasur parasysh këtë, besoj se është në interes të të dyja palëve që të sigurohet qarkullimi i lirë i mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Duhet të punojmë me shumë zell për këtë, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme”, ka shtuar Vuçiq.
I pyetur nëse Serbia është e gatshme t’i bëjë disa lëshime Kosovës kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës apo të paktën të fillojë atë procedurë, Vuçiq ka thënë se “ata tashmë e kanë filluar atë procedurë në Këshillin e Evropës, pa pyetur Serbinë dhe se nuk u duhet Serbia për këtë”.
Megjithatë, ai nënvizoi se ka rregullore në Planin evropian në lidhje me organizatat ndërkombëtare. Theksoi se ata nuk do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në disa organizata.