Zv/kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Gjermanisë dhe zyrtarëve të lartë të saj, në lidhje me mbështetjen që kjo e fundit ka treguar për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë që pritet të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.
Vulin deklaroi se ministrja e Jashtme gjermane, Analene Baerbock është mbesa e një nazisti, teksa sipas tij, gjermanët janë komb gjenocidial.
“Do të mbetet e vërtetë se gjermanët janë komb gjenocidial, kurse serbët jo. Dhe nuk ka forcë që do ta ndryshojë këtë – tha zëvendëskryeministri i Serbisë.
Propozimi përfundimtar për rezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë ka mbërritur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në dokumentin që ka nervozuar serbët, kërkohet që 11 korriku të shpallet si dita ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.
Republika Srpska ka dërguar një raport në OKB duke kërcënuar me qëndrimin se “miratimi i rezolutës për Srebrenicën do të shkaktonte konflikte të brendshme” në Bosnje e Hercegovinë.
Lideri separatist, Milorad Dodik, i sanksionuar nga SHBA dhe shumë I afërt me Rusinë, ka kërcënuar shpesh se do të ndajë Republika Srpska nga Bosnja në rast të miratimit të rezolutës.