Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan ka publikuar disa video-incizime ku kanë akuzuar se Sekretari i LDK-së dhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka sulmuar dhe ka kërcënuar aktivistët dhe asambleistët e VV-së në Kuvendin Komunal raporton Gazeta Express.
Në një postim në Facebook të Vetëvendosjes dega në Lipjan thuhet se në punimet e seancës së Kuvendit Komunal asamblistët e VV-së u sulmuan nga kryetari Imri Ahmeti dhe përkrahësit e tij.
“Sot, teksa po vazhdonte punimet seanca e Kuvendit Komunal në Lipjan, aktivistë dhe asambleistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u sulmuan nga Kryetari i Komunës e shpura e tij në mënyrë të ulët, duke shpifur e kërcënuar aktivistin Blerton Vehapi, i cili po merrte pjesë në seancën publike të Kuvendit”, thuhet në reagim.
Gazeta Express ka provuar ta marrë versionin e kryetarit Imri Ahmeti rreth akuzave të VV-së në Lipjan, por që ai nuk ka qenë i qasshëm.
Tutje, VV ka deklaruar se Ahmeti e ka pjesë të rëndomtë të personalitetit gjuhën denigruese dhe kërcënimet.
“Kryetari i komunës së Lipjanit gjuhën denigruese e kërcënimet i ka pjesë të rëndomtë të personalitetit dhe politikbërjes që manifestojnë vogëlsinë e tij, prandaj secili që mendon dhe veprpn ndryshe, rëndom përballet me etiketime, shpifje e bullizim nga Imri Ahmeti, ndërsa Kuvendi Komunal trajtohet si zyrë e LDK-së e pronë private e z. Ahmeti. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Lipjan, dënon fuqishëm aktin skandaloz të Imri Ahmetit dhe vartësve të tij ndaj aktivistëve e asambleistëve tanë, ndërsa po shohim të gjitha mjetet dhe mundësinë për reagim ligjor në këtë drejtim”, thuhet tutje.