Rusia po rekruton luftëtarë nga Siria me përvojë në luftëra urbane për t’i përdorur në Ukrainë, raportoi të dielën “Wall Street Journal”.
Moska po kërkon metoda të reja në përputhje me rrjedhën e luftës në Ukrainë, shkroi gazeta, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Katër zyrtarë amerikanë deklaruan për “Wall Street Journal” se Rusia i mblodhi këta njerëz nga Siria për të shqyrtuar mundësinë e luftimeve urbane, veçanërisht në kryeqytetin Kiev dhe u ofroi atyre kontrata për një pagë të caktuar për një kohë të kufizuar.
Zyrtarët shtuan se detajet si dhe sa luftëtarë sirianë janë mbledhur deri më tani gjatë këtij procesi ose kur do të dërgohen në Ukrainë nuk janë ende të qarta.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi së fundmi se më shumë se 16 mijë luftëtarë të huaj nga vende të ndryshme ishin regjistruar për të luftuar për Ukrainën.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është pritur me reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar ndërsa Bashkimin Evropian, Britania e Madhe dhe SHBA-ja, vendosën një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Moskës.
Sipas shifrave të OKB-së, të paktën 364 civilë janë vrarë dhe 759 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia nisi luftën më 24 shkurt, ndërsa numri real dyshohet të jetë më i lartë.
Më shumë se 1.5 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.