Profesori i Fakultetit të Shkencave Islame, Xhabir Hamiti, ka folur rreth debateve që janë duke u bërë për Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se kjo periudha e gjatë e mos ndërtimit të këtij objekti fetar si duket u ka dhënë hapësirë njerëzve të debatojnë për të.
“E dhimbshme, kjo xhami apo themelet e kësaj xhamie janë nisur për një kohë të gjatë që nga viti 2012. Tashmë kanë kaluar 10 vjet që nuk është ndërtuar, dhe kjo sikur u ka lënë hapësirë njerëzve të diskutojnë dhe debatojnë për gjërat si o filloi ndërtimi i saj, o nuk filloi apo u gjetën paratë për ndërtim apo nuk u gjetën paratë për ndërtim”.
“Pra është bërë njëfarë rrahje e trurit dhe ndjenjave të qytetarëve. Kjo është çfarë ka ndodhur. Dhe nuk e di, nuk kam marrë kurrfarë informacioni të brendshme se si kanë rrjedhur brenda institucioneve. Aty janë disa njerëz të caktuar që e kanë marrë përsipër këtë çështje dhe ata i dinë informacionet më të sakta se si ka rrjedhur kjo periudhë që nga ajo kohë deri më sot dhe pse ka ardhur tek një debat i tillë”.
I pyetur se disa persona po druhen se mund të vijë një invadim i Turqisë e cila e financon ndërtimin e kësaj xhamie, Hamiti theksoi se duhet të ketë kujdes që kultin fetar të mos e bëjnë objekt politik.
“Më së paku kemi pasë të debatojmë për një çështje të tillë në këtë kohë jemi duke u ballafaquar me një armik të padukshëm, i cili na rrezikon të gjithëve. Debatet e tilla kur kulti bëhet problem politik e humb shenjtërinë e vet. Duhet të kemi kujdes kultin fetar të mos e bëjmë objekt politik”.
“Nuk është dashtë dhe nuk duhet që në asnjë mënyrë ne të lejojmë që kulti të bëhet subjekt politik. Është mirë që të jemi transparent në veprimet tona t’ua bëjmë me dije të gjithë qytetarëve qëllimin edhe donacionin edhe gjithçka, BIK ka dalë dhe ka thënë kohëve të fundit se donacioni është ky ose ky”.
“Nuk duhet të bëhet problem politik një kult fetar. Ne duhet të jemi shembull i rilindësve tonë shqiptar, që kanë thënë dhe e kanë pasë slogan të bashkimit të tyre pa dallim përkatësie fetare ata kanë thënë “Xhamitë e juaja janë xhamitë e tona, kishat juaja janë kishat tona””.
“Ne nuk guxojmë në asnjë mënyrë të tolerojmë ngjizjen e së ndonjë urrejtje ndër fetare në mesin tonë në emër të kulteve fetare. Është gabimi më i madh që mundemi të bëjmë në shoqërinë tonë tani dhe të ardhshmen. Toleranca dhe bashkëjetesa fetare është alfa dhe omega e kombit shqiptarë. Duhet të jemi të kujdesshëm të mos i shndërrojmë faltoret tona në debate të tilla politike, të mos i bëjmë ato shkaktare të një përçarje apo debati politik por edhe kulturor, duhet të jemi të kujdesshëm këtë drejtim”,ka deklaruar Hamiti.