Sipas të gjitha gjasave, as nesër nuk do të fillojë mësimi në shkollat e Kosovës, të cilat janë në grevë, me kërkesën e mësimdhënësve që t’i marrin nga 100 euro shtesa në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.
Se mund të ketë vonesa e thotë edhe nënkryetari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.
“Për këto vendos [nisjen e mësimit] këshilli grevist i BSPK-së, por ne nuk kemi asnjë lajm, asnjë indikacion apo asnjë shkëndijë që do të ketë ndonjë marrëveshje për ta ndërprerë grevën”, tha ai për Gazetën Express.
Ai thotë se ende nuk kanë ftesë për takim nga qeveria.
“Aq sa kam informacione unë, deri tash, nuk kemi pasur ftesë për takim nga Qeveria”.
Ymeri u përgjigj edhe ndaj deklaratave të sotme të kryeministrit Kurti, i cili i quajti ata “sindikalistë të PAN-it”.
Nënkryetari i SBASHK-ut, tha se në kohën e PAN-it kanë mbajtur grevë tri javore, ndërsa janë përkrahur nga opozitari i atëhershëm, Albin Kurti.
“SBASHK-u i ka 25 mijë e 300-400 sindikalistë. Këta sindikalistë në kohën kur koalicioni PAN ka qenë në Qeveri e kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj, kanë bërë grevë 3 javë për të drejtën e Ligjit të Pagave, e din opinioni krejt. Në atë kohë kur këta sindikalistë kanë bërë grevë kundër qeverisë Haradinaj për t’i realizuar të drejtat e veta, kryeministri i tanishëm, atëherë në opozitë, Kurti ka qenë gjithmonë krah i këtyre grevistëve dhe e ka përkrah grevën 3 javore që në atë kohë e kanë bërë të njëjtit sindikalistë, që ai sot po i quan si të PAN-it”, tha Ymeri.
Ai shton se nëse Kurti mendon që me këto deklarata mundet të bëjë përçarje në sindikatë ose të tentojë të ndërrojë udhëheqësit, sipas Ymerit, “qasja e tij është shumë e gabuar”.
“Nëse Kurti mendon që me këto deklarata mundet me bërë përçarje në sindikatë ose mundet eventualisht me tentu me ndërru udhëheqësit, të cilët në këtë rast e kanë Jasharajn, qasja e tij është e shumë e gabuar se në këtë mënyrë nuk gjendet zgjidhja për ta ndëprerë grevën, por i thellon edhe më tepër diferencat”, tha ai.
Sot janë bërë një muaj prej kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur grevë të përgjithshme në vend. Prej asaj kohe, SBASHK-u është takuar një herë me presidenten Osmani, dy herë me kryeministrin Kurti, disa herë ministrat Murti e Nagavci, mirëpo asnjë takim nuk ka prodhuar një zgjidhje për ndaljen e grevës. E pasuksesshme ka përfunduar edhe përpjekja e kryesindikalistet evropiane, Susan Flocken, e cila ‘ndërmjetësoi’ një takim mes Kurtit e kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.