Në një nga tre ‘gishtat’ e gadishullit të Halkidikisë, ajo ku jetojnë priftërinjtë e Malit Athos, prej 1 mijë vjetësh nuk shkel asnjë grua. Zgjidhja kaq drastike nuk është vetëm për të mbrojtur priftërinjtë nga çdo tundim, por ka domethënien e saj teologjike.
Kjo pjesë e gadishullit njihet ndryshe edhe si kopshti i të virgjërës Mari, që sipas traditës ortodokse, është e vetmja femër që ka shkelur në këtë pjesë toke, dhe për të ruajtur shenjtërinë e territorit, asnjë grua tjetër nuk ka shkelur e nuk duhet ta bëjë asnjëherë.
Por një zbulim i fundit arkeologjik ka ngjallur kërshërinë e historianëve. Nën dyshemenë e një prej 20 manastireve të gadishullit, janë gjetur eshtra që për nga forma duket si i përkisnin një gruaje.
Sipas “The Guardian”, për të konfirmuar gjininë dhe periudhën e eshtrave të gjetura në manastirin Pantokratoros, do duhen të paktën 3 muaj për analizimin e ADN-së, që po kryhen në laboratorët e Athinës. Sipas historisë në malin Athos, gjatë shekujve shpesh ka pasur tentativa nga gra të maskuara si burra për të hyrë në territorin e tij.
Në shekullin e XIV madje ka qënë Jelena, bashkëshortja e perandorit serb, financuese e komunitetit ortodoks, e cila kur mbërriti në këtë pjesë të gadishullit u shtruan kudo tapete, në mënyrë që të evitohej çdo lloj kontakti i trupit të saj me tokën e shenjtë aty.