Hashim Thaçi i ka kërkuar Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta trajtojnë urgjentisht rastin e Dhomave të Posaçme të Kosovës.
Në një shkëmbim letrash mes Thaçit dhe Pompeos, ekzistojnë “një sërë shqetësimesh” rreth Gjykatës Speciale.
“Ju shkruaj për të sjell në vëmendjen tuaj shqetësimin tonë se pas kalimit të pesë viteve, periudhës tranzicionale të saj, është shënuar pak përparim në përmbushjen e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Unë gjithashtu shpreh rezerva të mëdha, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, që Dhomat e Posaçme të Kosovës [dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës] nuk e kanë përmbushur mandatin e vet siç ishte parashikuar në shkëmbimin e letrave mes Bashkimit Evropian dhe Holandës”, shprehet Thaçi.
Në letrën që ai i ka dërguar Mike Pompeos më 29 nëntor të 2019-s, Thaçi thotë se Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e kanë përmbushur mandatin e tyre, siç është parashikuar me Ligj.
“Ekzistojnë një sërë shqetësimesh të tjera të cilat minojnë seriozisht procesin që po ndërtohet në Hagë dhe që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të marrë parasysh urgjentisht këtë rast në mënyrë që të sigurojë se do të ndërmerren reforma kritike përpara se çështjet të vazhdojnë më tej, duke marrë parasysh financimi që tashmë është dedikuar për këtë projekt”, thotë Thaçi, në letrën e tij dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit.
Ndërkaq, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, i është kundërpërgjigjur Thaçit në këtë letër në prag të 12 vjetorit të pavarësisë.
Sipas asaj që Pompeo i shkruan Thaçit, do të ketë pasoja të mëdha që do t’i vuante Kosova nëse e pengon punën e Speciales.
“Shfuqizimi ose minimi i punës, strukturës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kosovës në botë; pretendimet do të mbeteshin njollë e përhershme mbi Kosovën; do të vihej në dyshim përkushtimi i Kosovës në sundimin e ligjit; mohohet drejtësia për viktimat; dhe e mjegullon të ardhmen e Kosovës si anëtare e familjes Euro-Atlantike dhe komunitetit ndërkombëtar. Operimi i Dhomave të Specializuara, sipas formatit aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta përmbyll këtë kapitull të historisë së saj dhe për t’ia mundësuar Shteteve të Bashkuara të kundërshtojnë argumentet e mohuesve të shtetit të Kosovës…”, shkruan mes tjerash në letrën e Pompeos dërguar Thaçit.