Zbulohet spiranca e rrallë antike në lumin Mat me lartësi 1.2 m, i përket shekulli V-VI! Specialisti: Po humbin objektet arkeologjike, çohen për skrap

Me lartësi 1.2 metër dhe një zinxhir prej 6.4 metër, një spirancë antike është zbuluar në shtratin e lumit Mat, në Skuraj të Kurbinit.

Spiranca e rrallë është pikasur nga një banor i zonës në thellësinë 4 metra poshtë shtratit të lumit.

Për specialistin e Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Ded Margjoni, spiranca bën pjesë tek objektet e rralla nënujore, me vlerë arkeologjike pasi mendohet dhe i përket shekullit të V-VI të erës sonë, në periudhën, kur lumi Mat ishte i lundrueshëm.

‘Është një spirancë e cila është përdoruar nga një anije me tonazh jo aq të madh, sa janë gjetur spiranca të tjera, por, e veçanta e kësaj është se ka dhe zinxhirin ku është hedhur me 6.5 metër e gjatë, çka dëshmon se lumi Mat ka qenë i lundrueshëm.’- u shpreh Ded Margjoni.

Specialisti Margjoni ngriti shqetësimin se shumë objekte arkeologjike janë duke humbur pasi pjesa më e madhe e tyre shiten për skrap.

‘Duhet t’i menaxhojmë marrjen e inerteve nga shtrati i lumit. Objektet kanë humbur për fat të keq.’- u shpreh Margjoni.

Spiranca më shumë se 1400 vjeçare, po ruhet nga banori që e ka gjetur, ndërsa pritet qe të verifikohet dhe nga ekspert të Ministrisë së Kulturës.