Zelensky i bëri thirrje NATO-s të kryejë sulme parandaluese kundër Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të nisin një sulm parandalues ​​ndaj Rusisë.

Kjo, në mënyrë që presidenti rus Vladimir Putin të mos ketë dëshirën për të përdorur armë bërthamore.

Zelensky e shprehu këtë mendim gjatë një fjalimi “virtual” në një konferencë në Institutin Lowy në Australi.

“Çfarë duhet të bëjë NATO? T’ia bëjë të pamundur Rusisë përdorimin e armëve bërthamore. Por ajo që është e rëndësishme, unë edhe një herë i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar – sulme parandaluese, në mënyrë që ata të dinë se çfarë do të ndodhë me ta nëse i zbatojnë ato dhe jo anasjelltas”, theksoi presidenti.

Kremlin-i e quajti sakaq apelin e Volodymyr Zelensky-t “një propozim përpara fillimit të një lufte botërore”.

Zëdhënësi i Presidentit të Federatës Ruse, Dmitriy Peskov, kërkoi “t’i kushtohet vëmendje të gjitha vendeve të botës”.

“Të gjitha vendet e botës, veçanërisht SHBA-të, Britania e Madhe dhe anëtarët e Bashkimit Evropian, duhet t’u kushtojnë vëmendje këtyre deklaratave”, thotë Peskov.

Zëdhënësi shtoi se “përgjegjësia për fjalët e Zelensky-t i takon Washington-it dhe Londrës, të cilët në fakt menaxhojnë aktivitetet e Kiev-it”.