Zelensky: Rusia, një e keqe që ndalet vetëm në fushën e betejës

Rusia është një e keqe që mund të ndalet vetëm në fushën e betejës. Kështu tha presidenti Volodymyr Zelensky në videomesazhin e fundit, ku përditësoi ukrainasit lidhur me zhvillimet në frontin e luftës. Sipas tij, dy qytete strategjike në lindje të vendit, Severodonetsk dhe Lisiçansk po dëshmonin luftimet më të ashpra, ndërsa forcat ruse kanë shtuar presionin në zonë duke pushtuar territor përgjatë një lumi.

“Siç e prisnim, Rusia është shumë nervoze për aktivitetin tonë. Sërish ka pasur bombardime në Kharkiv dhe Odesë e po ashtu vijon ofensiva brutale në Donbas. Moska është një e keqe që mund të ndalet vetëm në fushëbetejë. Ne po mbrojmë Lisiçanskun dhe Severodonetskun ku po zhvillohen edhe luftimet më të rënda”, u shpreh Zelensky.

Guvernatori i rajonit të Luhansk tha se qytetit i Lisiçansk ishte bombarduar rëndë përgjatë 24 orëve.Sipas tij, më shumë se 10 qiellgërvishtëse, godina banime dhe një strukturë policore ishin shkatërruar. Sulmet kanë shënjestruar edhe qytetin e Harkivit, ku një fabrikë mori flakë pasi u godit nga predhat ruse.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se konflikti në Ukrainë do të zgjasë dhe se Moska nuk do të ketë më besim te perëndimi.

Sipas ministrisë së mbrojtjes në Britaninë e Madhe, Ukraina ka neutralizuar një pjesë të madhe të kërcënimit të Moskës në veriperëndim të Detit të Zi.

Siç thuhet, Kievi ka përdorur me sukses kundër rusëve raketa antianije Harpoon të dhuruara nga perëndimi, duke shkatërruar rimorkiatorin Spasatel Vasily Bekh teksa ishte në mision rifurnizimi në Ishullin e Gjarpërinjve.

Autoritet në Kiev denoncojnë se që prej fillimit të luftës Moska ka deportuar 1.2 milionë qytetarë ukrainas në Rusi.