Zelensky tregon se çka diskutoi me Trumpin në Vatikan

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se në takimin e mbajtur në margjinat e funeralit të Papa Françeskut me presidentin amerikan, Donald Trump, ndër të tjera është diskutuar edhe për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe sanksionet kundër Rusisë.

Ai e ka konsideruar marrëveshjen e nënshkruar për mineralet me Shtetet e Bashkuara si të dobishme për të dyja palët dhe se falë saj, Ukraina do të mund të sigurojë numrin e nevojshëm të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

“Jemi gati që sistemet e mbrojtjes ajrore të jenë pjesë e kontributit. I tregova atij (presidentit amerikan) për numrin e sistemeve që na nevojiten. Ai më tha se kjo do të shqyrtohet, dhe se këto gjëra nuk janë falas”, ka thënë Zelensky.

Lideri ukrainas gjithashtu ka deklaruar se ata të dy janë pajtuar rreth faktit se një armëpushim i plotë 30-ditor ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës është hapi i parë konkret drejt përfundimit të luftës.

Zelensky ka besim se Evropa nuk do të heqë dorë nga Ukraina, tek u pyet për rrezikun nëse SHBA-ja braktisë procesin e paqes.

“Shumë prej problemeve tona janë të ndërlidhura me Evropën”, ka shtuar ai.