Zvicra shënon rënie të rasteve të reja të virusit, javën e ardhshme e nis largimin e masave

Ministria e Shëndetit Publik në Zvicër njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara janë shënuar shtatë viktimta të koronavirusit.

Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave shkoi nga 1,135 sa ishte dje në 1,142 sot, shkruan “The Guardian”.

Përpos të vdekurve, u shënuan edhe 204 raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i rasteve shkoi në 27,944. Kjo shifër është mjaft e lartë në krahasim me numrin jo aq të madh të popullsisë.

Sidoqoftë, numri i rasteve të reja ditëve të fundit ka shënuar rënie dhe kjo e ka shtyrë qeverinë që të marrë vendim për largimin e disa masave kufizuese duke filluar nga java e ardhshme, më 27 prill.

Zvicra gjeografikisht ndodhet mes dy vendeve që kanë numër të madh të rasteve – Italia dhe Gjermania, por si duket, mbyllja e kufijve ka ndikuar që përhapja masive nga vendet fqinje të parandalohet me kohë.