​Limaj tregon nëse do të jetë Nisma pjesë e qeverisjes së ardhshme

Ndërkohë që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka dërguar kërkesë Lëvizjes Vetëvendosje për caktimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, Nisma Socialdemokrate e Kosovës është shprehur për një qeveri të gjerë të unitetit dhe kundër zgjedhjeve të reja.

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë paralajmëruar disa herë se janë kundër një qeverie gjithëpërfshirëse, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetari i Nisma Socialdemokrate Fatmir Limaj ka përsëritur sonte qëndrimin e partisë që ai drejton kundër zgjedhjeve të reja.

Ai ka thënë se Nisma Socialdemokrate është për një qeverisje sa më të gjerë.

“Nisma është e gatshme të japë kontributin e vet në një qeverisje sa më gjithëpërfshirëse”, është shprehur Limaj, i pyetur nëse partia që ai drejton do të jetë pjesë e qeverisë apo do të qëndrojë në opozitë ashtu sikurse ka paralajmëruar Partia Demokratike e Kosovës e Kadri Veselit.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, LDK me mbështetjen e partive opozitare.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvend, SHBA dhe BE kanë kërkuar nga udhëheqësit e Kosovës që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Neni 95 i Kushtetutës parasheh se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”.

Ndërkaq në nenin 82 thuhet se “Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë”.

Për rrethanat aktuale shpërndarja e menjëhershme e kuvendit nga lidershipi i Kosovës po konsiderohet si moment jo i përshtatshëm për shkak të koronavirusit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti kohë më parë në Facebook ka shkruar se Kushtetuta e qartëson se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër.