​Qëndroni në shtëpi dhe në distancë, janë javët vendimtare në luftën kundër koronavirusit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës dhe ministri Shëndetësisë, kanë deklaruar se tre javët e fundit janë vendimtare për Kosovën në luftën me koronavirusin.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë masat dhe rekomandimet e institucioneve për të luftuar përhapjen e Covid19. E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur që në Kosovë do të vinë edhe 50 respiratorë të rinj, të cilët i kanë blerë. Por, ka përsëritur se çfarëdo mase e ndërmarrë prej kësaj sëmundje, është e kot nëse qytetarët nuk i zbatojnë rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe masat e Qeverisë së Kosovës

Konferencën me gazetarë, kryeministri i Kosovës e ka mbajtur sot në oborrin e qeverisë, derisa ka theksuar se shumë shpejtë do t’u vijë fundi edhe konferencave në ambient të mbyllur, duke lënë mundësinë e komunikim it vetëm përmes telefonit dhe internetit. Krejt këto masa meqë çdo grumbullim paraqet rrezik çdo herë e më të madh.

Kurti ka thënë se vendimet do të merren ditë pas dite, meqë Kosova nuk është ende në javën që do të tregojë figurën e vërtetë të gjendjes së shëndetit publik në vend.