Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar sonte serish tensionet në veri të Kosovës pas vendosjes së masave reciproke për targat e automjeteve.
Sipas tij, Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, pasi me marrëveshjen e Kumanovës dhe vendimet pas saj, si dhe hapjen e vendkalimeve administrative, nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë, përcjellë B92.
“Ne nuk do të hyjmë me trupat tona. Paqja është më e nevojshme. Ne jemi duke pritur që NATO të reagojë. Nëse vazhdon përndjekja e popullsisë, Serbia do të reagojë,” tha ai.
Kosova më 16 shtator ka vendosur reciprocitet për targat e automjeteve nga Serbia, pas skadimit të marrëveshjes së Brukselit më 15 shtator. Të gjitha automjetet me targa të Serbisë duhet t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kjo ka shkaktuar zemërimin e serbëve lokalë, të cilët kanë vendosur barrikada në veri.