Në vitin 2018, i akuzuari kishte sulmuar një person në stacionin e trenit në Olten (Solothurn). Ai kishte goditur disa herë trupin e viktimës me thikë.
Gjykata e lartë (kantonale) e Solothurn-it ka konfirmuar aktgjykimin e vitit 2018: dorasi kosovar duhet të dëbohet nga Zvicra për dhjetë vjet, pavarësisht faktit se në Zvicër ka një djalë të vogël.
Në vitin 2018, autori me prejardhje nga Kosova (i lindur në Zvicër) ka sulmuar një burrë në stacionin e trenit në Olten (Solothurn), transmeton albinfo.ch. Ai ka goditur disa herë trupin e viktimës me një thikë. Në vitin 2021 ai qe shpallur fajtor për tentativë vrasje, siç raporton “Solothurner Zeitung”.
Të akuzuarit, përveç dënimit me tetë vjet burg, i ishte shqiptuar edhe dëbimi dhjetëvjeçar nga vendi, Zvicra. Ai ka ushtruar ankesë lidhur me dëbimin nga vendi dhe për këtë arsye është zhvilluar seanca në Gjykatën e Lartë.
Personi në fjalë është i lindur dhe rritur në Zvicër, e gjithë familja e tij jeton këtu, përcjell albinfo.ch. Kjo përfshin gruan dhe djalin e tij. Ai gjithashtu vuan nga sëmundja multiple skleroza dhe ka frikë se nuk do të ketë mundësi të trajtimit adekuat në Kosovë.
Mirëpo, këto argumente janë hedhur poshtë nga prokuroria publike.
Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin
Gjykata e Lartë ka vlerësuar se interesi publik për moslejimin e qëndrimit në Zvicër ishte më i madh se interesi personal i delikuentit, transmeton albinfo.ch. Prandaj, ajo ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Qarkut të Olten-Gösgen dhe ka mbështetur dëbimin nga vendi pavarësisht argumenteve që i akuzuari kishte për tu trajtuar si “rast i rëndë”.