Drejtësia e korruptuar vret përsëri. Viktima e radhës nuk një grua si zakonisht, por Gazment Kurmaku, 57-vjeç, një qytetar i pafajshëm që punonte si kryekamerier. Gazment Kurmaku u vra për arsye banale, për një tavolinë që ishte rezervuar.
Ai u vra nga Erjon Llapushi, 33 vjeç, një personazh i skeduar për aktivitet kriminal, dhunë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore. Aktiviteti i tij kriminal ka nisur që nga viti 2007 me kanosje, plagosje duke vijuar deri në vrasjen e disa ditëve më parë. Një personazh me aktivitet të theksuar, të larmishëm dhe të provuar kriminal, ka arritur t’i shpëtojë lehtësisht drejtësisë, duke kryer më pas edhe krimin e fundit që tronditi opinionin publik, vrasjen me thikë të kryekamerierit, Gazment Kurmaku. Vetëm katër muaj para vrasjes, Llapushi ishte arrestuar për një vepër penale, për të cilën parashikohet deri në 7 vite burg, por megjithatë i kishte shpëtuar ndëshkimit, duke vijuar normalisht aktivitetin kriminal.
Po cili është aktiviteti kriminal i Erjon Llapushit dhe si arriti ky personazh t’i shpëtonte ndëshkimit?
–Maj 2021, arrestohet për trafik njerëzisht (lirohet)
Në 29 maj të këtij viti, pra katër muaj para se të kryente krimin në Elbasan, Erjon Llapushi është arrestuar nga policia, pasi po transportonte 24 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. “Gjithashtu në hyrje të qytetit të Pogradecit, u kapën shtetasit K. L. dhe E. Ll., duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz”, 24 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim…”, njoftonte policia.
Një vepër e tillë penale, pra ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve në këmbim të parave, dënohet deri në 3 deri në 7 vite burg. Teksa shumë persona sot janë në burg për këtë vepër penale masive vitet e fundit, Erjon Llapushi, çuditërisht ishte i lirë dhe nuk dihet se sa ditë burg ka bërë. Ky është një tjetër rast për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për të verifikuar prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët kanë lënë të lirë Erjon Llapushin.
2019, Shtrëngim për dhënien e pasurisë (sërish i lirë)
Erjon Llapushi është një tjetër shembull ulëritës i degradimit të segmenteve të drejtësisë shqiptare. Në vitin 2019, Erjon Llapushi, sa bashku me Saimir Frahollin, përmes presionit dhe shantazhit mundën të merrnin 17 për qind të aksioneve të një kompanie private, e cila ka si objekt transportin e udhëtarëve në linjat Pogradec-Korçë dhe Pogradec-Tiranë. Më pas, aksionet e rrëmbyera, i ia kanë shitur një personi tjetër.
Pas operacionit të parë, të dy kanë nisur përpjekjet për t’u futur aksionerë në një kompani tjetër private në Pogradec, por që nuk kanë mundur ta mbyllin me sukses këtë “operacion”, për shkak edhe të ndërhyrjes së policisë dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët kanë bërë arrestimin e dy të rinjve nga Pogradeci Saimir Fraholli dhe Erjon Llapushi. Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, neni 109/b i Kodit Penal, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor Erjon Llapushin për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim. Dhe në vitin 2020, Llapushi rezulton në burg. Nuk dihet rrethanat se si Llapushi ka rritur të dalë nga qelia për një vepër penale që dënohet deri në 8 vite burg, ndërkohë që ka vijuar akvitetin kriminal.
–2008, plagosje e rëndë me dashje
Në njoftimin e policisë së majit 2021, kur Erjon Llapushi u arrestuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, ka një detaji. Në njoftim thuhet se Erjon Llapushi kishte kryer më parë edhe një krim tjetër, atë të plagosjes së rëndë me dashje. Plagosja e rëndë me dashje dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. 13 vite më parë, në një lokal në qytetin e Pogradecit, Llapushi ka ka plagosur Mariglen Topuzin, ndërsa qëndronte bashkë me të. Topuzi është qëlluar me armë zjarri, duke marrë një plagë në kokë dhe një plagë në gjoks poshtë zemrës. Llapushi u arrestuar nga Njësia e Operacioneve Speciale dhe e Vëzhgimit, në rrugën e Dibrës, në Tiranë. Erjon Llapushi është dënuar për këtë vepër penale. Por ky dënim është një precedent që komprometon rëndë drejtësisë, e cila ka zbutur dënimin deri edhe ‘amnistuar’ Erjon Llapushin për krimet e mëvonshme.
Armëmbajtje pa leje
Me kryerjen e veprës penale të plagosjes së rëndë me dashje, Erjon Llapushi ka kryer rrjedhimisht dhe automatikisht edhe veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Mbajtja e armëve pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në shtatë vjet. Erjon Llapushi është dënuar edhe për këtë vepër penale, ku nga bashkimi i dënimeve, i janë lehtësuar pozitat.
1 maj 2007, tentativë për vrasje
Në CV-në kriminale të Erjon Llapushit është edhe një tentativë për vrasje, ndodhur në më 1 maj të vitit 2007. Erjon Llapushi ka tentuar të vrasë më me armë zjarri Andi Sukollarin. Pas ngjarjes, Llapushi është shpallur në kërkim, arrestuar dhe më pas dënuar. Erjon Llapushi, pas kryerjes së dënimit për tentativën e vrasjes së Andi Sukollarit, ka plagosur rëndë Mariglen Topuzin.
Erjon Llapushi objekt i OFL-së
Për shkak të aktivitetit kriminale dhe pas dënimit nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda për shtrëngim për dhënie pasurie, Erjon Llapushi ishte objekt i veprimtarisë së Operacionit Forca e Ligjit. Në janar të vitit 2020, OFL-ja, në bazë të aktit special anti-krim të qeverisë, i kërkoi Erjon Llapushit që të deklaronte dhe të justifikonte pasuritë. “Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: E.Ll., banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e OFL-së. Megjithatë, lëvizja e OFL-së nuk u finalizua me sekuestrim pasurie në rastin e Llapushit, pasi ky i fundit nuk kishte pasuri në pronësi.