Të afërmit e Çaush Shehajt, 89-vjeçarit i cili ndërroi jetë në spital pasi u dhunua nga dy persona që e grabitën kanë folur për mediet.
Nipi i tij, nga ambientet e spitalit shprehet se kjo është hera e dytë që i moshuari grabitet dhe sipas tij, nga i njëjti person.
“Është rasti i dytë dhe është i njëjti person që ka bërë të njëjtën gjë. Ka shkuar policia një herë, mori shenjat e gishtave ai eksperti. Nuk u bë gjë herën e parë. Shkuan tani, e vranë. Humbi jetën sot. Gruan e ka të sëmurë, fëmijët i ka Greqi. ka dy djem dhe dy vajza. Ne duam drejtësi, shteti të vërë dorë”, tha ai.
“Krim makabër.”
Grabitja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Klos të Mallakastrës.
Autorët e dyshuar të ngjarjes, Ervis Halimi, 22 vjeç dhe Musa Gudo, 28 vjeç janë arrestuar nga policia.
Ata kanë arritur të marrin 5 mijë lekë nën kërcënimin e armës.
I moshuari u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Në gjendje të lirë është proceduar një i mitur, 16-vjeçari F.Ç për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.