Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim pasuror për të gjithë të arrestuarit e operacionit të së mërkurës, ku u godit një grup kriminal që merrej me trafikimin e sendeve me vlerë dhe pastrim parash.
Gazetarja Sara Demushi bëri me dije se operacioni në Shqipëri ka nisur pas indicieve të ardhura nga homologët francezë.
Sipa gazetares, mes të arrestuarve është dhe ish-shoferi i Ardi Veliut, Sokol Idrizaj së bashku me bashkëshorten e tij Elda Idrizaj dhe vajzën. Ndaj vajzës tjetër të Idrizaj është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Ish-shoferi, i cili mësohet se ka qenë nën hetim dhe i pezulluar nga detyra, dyshohet se në bashkëpunim me një argjendari në Tiranë kryente trafikimin e sendeve me vlerë si diamantë, bizhuteri floriri, madje dhe para cash përmes Portit të Durrësit.
Demushi tha se grupi kriminal operonte në dy pjesë, ku në Francë vidheshin sendet më vlerë dhe më pas transportoheshin në Shqipëri, ku bëhej dhe shitja e tyre. Sipas gazetares, ky grup ka trafikuar 3.4 kg flori dhe rreth 2 milionë euro sende me vlerë.
“Sot Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin pasuror në lidhje me personat e arrestuar lidhur me këtë operacion. Kanë qenë autoritetet franceze ato të cilat kanë njoftuar autoritetet në Shqipëri në lidhje me këtë veprimtari kriminale. Bëhet me dije gjithashtu se hetimet kanë nisur rreth një vit më parë. Nga 17 urdhër arreste janë ekzekutuar 12.
Në këtë veprimtari janë përfshirë dy grupe, të cilët operonin në dy vende duke bërë të mundur vjedhjen e objekteve me vlerë dhe më pas sjelljen e tyre në Shqipëri. Sa i përket shumave të përdorura për blerjen e sendeve të luksit, ato kapin vlerën e 724 mijë euro përmes transaksioneve bankare. Ndërsa vlera e shumave në cash llogaritet rreth 2 milionë euro dhe 35 mijë franga; përveç këtyre personat e arrestuar kanë transportuar në mënyrë të paligjshme dhe 3.4 kg flori. Gjithashtu janë kryer kontrolle si në Shqipëri edhe në Francë. Në Francë janë sekuestruar 215569 euro, 115 bizhu të ndryshme, 50 ora të ndryshme të markave luksoze. Në vendin tonë janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, 65 300 euro, 9900 dollarë, 60 ora dore, lap top, tablet, 28 aparate celularë, 2 kompjutera, 33 bizhu, 2 monedha ari dhe syze dielli të markave të ndryshme”, tha Demushi.