Një 37-vjeçar u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Landit në Aachen të hënën për vrasjen e gruas së tij. Gruaja 28-vjeçare humbi jetën në parkingun e një dyqani materialesh ndërtimore pasi u godit 20 herë me thikë, përpara disa dëshmitarëve.
Gruaja kishte lënë burrin e saj me prejardhje nga Kosova, dhe ishte zhvendosur në një strehimore për gratë me tre fëmijët e saj. I pandehuri ka pranuar krimin në një prononcim të shkurtër në fillim të gjykimit, por gjithashtu ka thënë se nuk i kujtohen më detajet.
Dy ish-bashkëshortët ishin marrë vesh të takoheshin më 20 maj në parkingun përballë selisë së policisë në Aachen për të dorëzuar vajzën e tyre, shkruajnë mediat gjermane.
Por burri nuk e ka sjellë fëmijën me vete dhe ka sulmuar 28-vjeçaren me thikë kasapi. Gjashtë nga goditjet me thikë ishin fatale, është thënë nga trupi gjykues.
Sipas gjykatës, i pandehuri më pas ka kaluar ngadalë me makinë pranë gruas që po vdiste dhe e ka filmuar atë me celularin e tij. Celulari dhe arma e vrasjes nuk u gjetën kurrë. Disa orë më vonë ai u dorëzua.
28-vjeçarja, e cila po merrte kualifikim profesional te një mjek, donte të bënte një jetë të lirë, shpjegon kryetari i trupit gjykues, përcjell albinfo.ch. Por i pandehuri, i cili nuk kishte precedentë penalë, ishte xheloz dhe ushtronte “sjellje të padurueshme kontrolluese” ndaj gruas me pasaportë gjermane dhe kosovare.
Ai ishte i dëshpëruar, “shoqëruar me zemërimin e pakufishëm që ajo kishte guxuar t’i shmangej zotërimit të tij. Kështu, ai kishte marrë vendimin për të vrarë 28-vjeçaren nëse nuk arrinte ta ndryshonte mendjen e saj”, ka thënë gjykatësi.