Gazeta e pavarur serbe “Danas” ka përkujtuar të mërkurën, një datë dhe një fjalim që nuk e bën të mburret presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Danas”, që shpesh kritikon Vuçiqin për “mbytje të lirisë së shprehjes”, e që vetë, nga pushteti akuzohet se punon kundër “interesave serbe”, ka rikujtuar atë që ka thënë Vuçiqi në Kuvendin e Serbisë më 20 korrik 1995 kur ishte pjesë e partisë radikale të kriminelit të gjykuar nga Tribunali i Hagës, Vojislav Sheshel.
“Ky fjalim fjali është dëshmi e gjuhës së urrejtjes dhe retorikës luftarake të përdorur nga Vuçiqi gjatë viteve nëntëdhjetë. Kështu, presidenti i Serbisë do të mbahet mend si dikush që deshi t’u hakmerrej boshnjakëve, siç bënë nazistët në Luftën e Dytë Botërore kur vendosën rregullin – për një gjerman të vrarë, njëqind serb do të pushkatohen”, ka shkruar gazeta “Danas”.
Vuçiq në shumë raste është munduar të arsyetohet për atë që kishte thënë në muajt e fundit të luftës në Bosnjë. Insiston se deklarata e tij është nxjerr nga konteksti, por gazeta “Danas” ia ka publikuar gjithë transkriptin e asaj seance si dhe videon nga fjalimi.